Policia e Himarës ka dhënë informacionin zyrtar për vrasjen e biznesmenit 51-vjeçar Niko Goro. Ndërsa ka arrestuar dhe personin e dyshuar për krimin.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 08.55 minuta në vendin e quajtur rrethrrotullimi që të çon në lagjen Spille në Himarë.
Atentatorët kanë studiuar lëvizjet e viktimës, pasi ai çdo mëngjes bënte shëtitje në këmbë. Ata dyshohet se i kanë bërë pritë Goros pranë një marketi dhe janë larguar me shpejtësi me mjetin e tyre.
I qëlluar me breshëri kallashnikovi, biznesmeni ka humbur jetën në vend, ndërsa ka mbetur e plagosur edhe një grua 57 vjeçe. Disa media raportojnë se bëhet fjalë motrën e Goros.
“Më datë 17.10.2020, rreth orës 08.55 minuta në vendin e quajtur rrethrrotullimi që të çon në lagjen Spille Himarë, nga një person ende i pa identifikuar është vrarë me armë zjarri shtetasi N.G, 51 vjeç. Si pasojë është plagosur lehtë në këmbë edhe shtetasja E. Q., 57 vjeçe, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritur pika kontrolli në aksin rrugor Himarë – Borsh e Himarë – Vlorë.
Në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur forcat Operacionale dhe Shqiponjat e DVP Vlorë.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.”- thotë Policia.
Brenda pak minutash, policia nxori një tjetër njoftim ku thotë se ka vënë në pranga të dyshuarin kryesor për ngjarjen.
I dyashuari i arrestuar është Kliti Leka, 53 vjeç, banues në Tiranë.
“Policia në kohë rekord kap gjatë ndjekjes autorin e dyshuar të vrasjes së 51 vjecarit N.G.
Si rezultat i reagimit në kohë dhe ndjekjes së pandërprerë të autorit, u bë e mundur që në vendin e quajtur ‘Livadhet’, të kapet dhe prangoset autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi Kliti Leka , 53 vjeç, banues në Tiranë.
Policia ka sekuestruar armën e dyshuar të krimit, armë zjarri kallashnikov dhe automjetin me të cilin u largua autori.
Autori po shoqërohet për në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme”– thotë policia.
Biznesmeni Goro ka patur disa konflikte me çështjen e pronave, megjithatë nuk dihet nëse ka qenë ky motivi i ekzekutimit. Biznesmeni ishte pronar hoteli dhe i një ndër bar-restoranteve më të frekuentuara të Himarës.