Shpesh herë për politikanët është e thjeshtë të bëjnë propozime lidhur me ekonominë, pasi jo të gjithë i kanë punët mirë me shifrat dhe sidomos nëpër debatet televizive, rrallëherë gjenden përballë ekspertëve apo gazetarëve të ekonomisë.
Mbrëmjen e kaluar, kryetari i PD-së Lulzim Basha, ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, u gjend përballë gazetares së ekonomisë Ornela Liperi, e cila është dhe drejtuese e revistës ekonomike “Monitor”.
Liperi e pyeti Bashën lidhur me propozimin e tij për taksimin e biznesit të vogël me 0.5% të xhiros. E sipas saj, Rama e ka hequr fare takimin për biznesin e vogël, ndërkohë që Basha zotohet ta ulë në 0.5%.
BISEDA NË STUDIO
Ornela Liperi: Kisha një pyetje për një premtim të zotit Basha që në fakt nuk është se është debatuar shumë, që i intereson dhe 90 mijë bizneseve, për taksimin me 0.5% të xhiros të bizneseve të vogla. Unë nuk e di si i keni bërë llogaritë, por mua më del që bizneseve u bie të paguajnë më shumë më këtë lloj taksimi.
Lulzim Basha: Jo
Ornela Liperi: Atëherë sipas premtimit të Ramës, çdo biznes që bën deri në 140 mijë euro në vit xhiro, nuk do të ketë tatim tim. Ndërsa Basha thotë do ta tatoj 0.5 % të xhiros. Ndërsa sot nuk po paguan asgjë. Është interesante sepse janë gati 90 biznese në vend që janë gati mbi 80% e bizneseve në Shqipëri që janë biznese të vogla. Dhe kanë interes për formulën e taksimit. Domethënë Rama u ka hequr tatimin, u ka rritur dhe pragun e TVSH-së, ndërkohë që Basha thotë do paguajnë 0.5% të xhiros. Dhe ndërkohë jua heq bizneseve të mëdhaja, këtyre që marrin rroga të mëdha dhe jua rrit atyre të vegjëlve.
Lulzim Basha: Mungon një element thelbësor, në propozimin tim që është kopjuar keq. Se është kopjuar keq, se kopjaci kopjon keq. Propozimi im është kopjuar keq.
Ornela Liperi: Rama e ka hequr fare
Lulzim Basha: Jo, nuk e ka hequr fare. Sepse unë jam në kontakt të vazhdueshëm me bizneset. Shpeshehrë dhe në praninë e medias. Mjaft të dalim sot tek një biznes në rrugë dhe ai do të thotë që paguan taksa. Paguan taksa bashkiake që janë shumëfishuar në 5 vitet e fundit, unë paguaj gjoba pa fund dhe ai ka frikë të shkojë të hapë qepenin.
Ornela Liperi: Gjoba nuk ka lidhje, por flasim për taksat.
Lulzim Basha: Ka një zgjidhje integrale. Dua ta them shtruar. Biznesi i vogël pa taksë është një gënjeshtër e Edi Ramës. Çdo biznes i vogël ditë për ditë torturohet me taksa lokale. Është rritur taksa e shkollës. Çdo biznes paguan 3-7 herë më shumë detyrime ndaj bashkisë së Tiranës, se sa kur paguante deri në vitin 2015. Atëhere propozimi im është që nesër do bëjmë që biznesi nuk do përballet më me 10 lloje inspektorësh, por do ketë detyrim vetëm 0.5% të xhiros vjetore. Që do të thotë se biznesi më i madh ndër të vegjlit do paguajë maksimumi 700 mijë lekë të vjetra në vit. Asnjë cent më shumë. Pjesa e dytë e propozimit Ornela, është që kush i paguan rregullisht, i vendoset një pullë fiskale në hyrje të dyqanit dhe nuk do të shohë më presion tatimorësh apo inspektorësh.
Ornela Liperi: Nuk arrij ta kuptoj. Si do çlirohet kur do paguajë 700 mijë lekë në vit?
Lulzim Basha: Po do çlirohet pra…varet nga xhiro
Ornela Liperi: Kam parë faturat, asnjë biznes s’paguan aq… Po jo se sot s’paguajnë aq, unë kam faturat e bashkisë… paguajnë 75 mijë lekë. Në Tiranë të paktën. Kam parë faturat sot.
Lulzim Basha: Të reja?
Ornela Liperi: Të vjetra… unë i pashë po them. Kam parë faturat
Lulzim Basha: Po taksa e reklamës?
Ornela Liperi: Po janë të gjitha…pjesa më e madhe e biznese të Tiranës nuk kanë reklama. Bizneset e tjera paguajnë 200-300 mijë lekë.
Pjesa më e madhe paguajnë 75 mijë lekë të vjetra,200 mijë lekë mesatarja. Të vjetra. Nëse paguajnë korrupsionet janë diçka tjetër.
Lulzim Basha: Korrupsioni është gjithçka.
Ornela Liperi: Ne po flasim për taksat zyrtare.