Ambasada e Kosovës në Gjermani ka vlerësuar se java që po lëmë pas ishte e zezë për Kosovën dhe shqiptarët.
Ajo i referohet dy aksidenteve tragjike, ku në të parin humbën jetën dy vëllezër shqiptarë nga Kosova, dhe në të dytin ndërruan jetë tre të rinj të tjerë nga Kosova.
Ambasada shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave që humbën jetën në aksidente trafiku.
“Ambasada e Republikës së Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave dhe njofton që në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Prishtinë është në kontakt të afërt me autoritetet gjermane për sqarimin e rrethanave të aksidenteve në Bruckerg të Bavarisë ku humbën jetën dy vëllezër dhe Meersburg të Baden-Württemberg ku sot kanë humbur jetën edhe tre shqiptarë nga Kosova gjatë udhëtimit për Zvicër”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Kosovës në Gjermani.
Rreth katër ditë më parë, një aksident i mori jetën dy vëllezërve shqiptarë në Brukberg të Gjermanisë.
Ata ishin të moshës 13 dhe 17 vjeçare, nga fshati i Deçanit në Kosovë. Ata ishin përplasur nga treni.
Në ditën kur u varrosën dy vëllezërit nga Deçani, ndodhi edhe një aksident tjetër tragjik. Tre anëtarë të një familje humbën jetën derisa po ktheheshin nga Kosova në Zvicër.
Aksidenti tragjik ka ndodhur në në autostradën federale 31, midis lokaliteteve Uhldingen-Mühlhofen dhe Meersburg në orët e mëngjesit.
Kosovarët që humbën jetën janë të moshave, 12, 18 dhe 35 vjeçare, nga qyteti i Ferizajit.