Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi këtë të shtunë ka shkruanr në Fier, nga ku ka denoncuar qeverinë Rama lidhur me inceneratorin atje.
Kryemadhi thotë se inceneratori ka helmuar zonën dhe ka detyruar fermerët të largohen.
“Me ndërtimin e këtij inceneratori këtu mbrapa, që është një vepër korruptive e cila është e spostuar nga të gjitha pikat e saj, nuk ka sjellë gjë tjetër vetëm do sjellë largimin sic ishim ne sot dhe diskutuam me shumë gra që ishin të shqetësuara se fëmijët e tyre janë larguar nga Shqipëria, nga fshati.
Ata kanë qenë fermerë shumë të zotë të cilët prodhonin dhe nga tokat e tyre sillnin produkte shumë të mira. Por që me ndërtimin e inceneratorëve shpresa e tyre u pre.
Në takimin që patëm me njerëzit kërkonin që ne të vazhdojmë qëndresën, për të realizuar rikthimin e të rinjve dhe të rejave në Shqipëri.
Kjo zonë prodhon prodhime shumë të mira për bujqësinë, por Rama po i helmon.”- deklaroi Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së thotë se me 25 prill Edi Rama do marrë dënimin e merituar, ashtu sikurse dhe njerëzit rreth tij.
Kryemadhi tha se vendosi ta bënte këtë denoncim nga Mbrostari, për t’u zotuar për angazhimin e saj për kthimin e të rinjve, që kanë emigruar.
“Ky incenerator do jetë gropa e cila mbyti qeverinë e Ramës, mbyti interesaxhinjtë që rrotullohen rreth Ramës. Do jetë pika e shkëputjes përfundimtare nga ky vend, por dhe ai moment që do i japi dënimin përfundimtar në 25 prill Edi Ramës dhe Rilindjes dhe të gjithë njerëzve që pasurohen duke vrarë shpresën dhe shpopulluar Shqipërinë.
Prandaj dhe sot do dëshiroja që këtë denoncim ta bëja nga Komuna e Mbrostarit, për t’u angazhuar që për të çuar deri në fund jo vetëm protestën e grave, por mbi të gjitha për t’u angazhuar për të kthyer fëmijët, djem edhe vajza, të cilët kanë emigruar dhe punojnë në tokat dhe serat e vendeve të tjera europiane. Të kthejmë tokat dhe serat në Shqipëri, që të jenë e të njëjtat produkte si në Europë, më të mira se në Europë, por që t’u garantojmë pagesën si në Europë, ndoshta pse jo dhe më të mirë. Këtë vend të bekuar nga Zoti, me pozicionin e tij gjeografik nuk mund ta dënojë Edi Rama dhe kriminelët e tij.”- shtoi zonja Kryemadhi.