Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për “betejën” e ditëve të fundit që po bëhet për inceneratorët.
Ditën e sotme i ka dedikuar një spot inceneratorit të Elbasanit si për të provuar qëndrimin e tij në kundërshtim me debatin që pati dy ditë më parë me gazetarin Armand Shkullaku.
“Parmbrëmë tek Fevziu Armand Shkullaku ishte në krye të luftës së panelit të armatosur me gjysmë të vërteta (që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha), për t’i bërë jehonë sulmit sharjeshpifës të Lulëzimit mbi impiantet moderne të përpunimit të mbetjeve në Tiranë, Elbasan e Fier ose siç i quan Luli, me atë fodullëkun përbuzës të gjumashit kur bën sikur s’ka gjumë, “inceneratorët“-shkruan Rama.
Rama si në debat edhe ditën e sotme thotë se inceratori i Elbasanit prodhon energji dhe kjo është e vërtetueshme, në ndërkohë e quan Shkullakun se është vënë në shërbim të kreut të opozitës Lulzim Basha, me këtë të fundit i cili ka denoncuar si aferë korruptive tenderat me inceneratorët.
Kryeminsitri shton se Shkuallku gënjeu për inceneratorin e Elbasanit jo për nga padija pas ai vetë ka bërë një film disa vite më parë se nga plehërat prodhohet energji në Elbasan.
“Analisti arriti të mohonte sy për sy edhe fjalët e veta edhe vetë provën materiale, e cila rrëzoi në sy të të gjithëve gënjeshtrën ulëritëse se në impiantin e Elbasanit nuk është prodhuar kurrë energji! Por e vërteta e plotë lidhur me këtë episod, ku analisti u vu këmbëngulësisht në shërbim të Lulit, është se Shkullaku jo vetëm nuk gënjeu nga padija, po ai vetë, në cilësinë e drejtuesit të prodhimit të TV KLAN, ka bërë edhe një goxha film për inceneratorin dhe për prodhimin e energjisë nga plehrat në Elbasan disa vite më parë!
Nuk e di nëse filmi në fjalë është bërë dhe shfaqur kundrejt pagesës apo ka qenë thjesht entuziazmi për impaktin e madh pozitiv mbi mjedisin të inceneratorit të Elbasanit, por materiali të cilin mund ta gjeni të plotë në youtube youtu.be/_nk9-3Av39Y duket se i ka pëlqyer aq shumë drejtuesit të atëhershëm të prodhimeve sa që e ka shfaqur edhe në ABC News edhe në TV KLAN!
Kush do të mësojë ca më shumë se ç’i panë sytë e ç’i dëgjuan veshët tek Fevziu gjatë atij debati haluçinant, le të ndjekë 4 minutat bashkëngjitur…”-përfundon kryeministri.