Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, deklaroi nga Durrësi se gratë janë pjesë e përparuar e shoqërisë shqiptare dhe se më 25 prill do votojnë për të larguar kryeministrin Rama dhe qeverisjen e tij.
Gjatë një takimi me gratë e qytetit bregdetar, Kryemadhi, theksoi se një nga plagët më të rënda të vendit është largimi i rinisë e LSI-ja do bëjë gjithçka për ta frenuar këtë dukuri tejet negative.
“Zgjerimi i strukturave të LSI-së nuk është një metodë që bëhet para zgjedhjeve, por është e domosdoshme. Lëvizja rinore dhe e grave janë dy shtylla të LSI-së. Në jetën e çdo qytetarë, gruaja është elementi që krijon vazhdimësinë e familjes, edukon fëmijët. Gruaja e domosdoshme si në familje ashtu edhe në parti, gruaja është e përparuar. Një nga plagët më të mëdha është largimi i të rinjve dhe të rejave.” – tha Kryemadhi.
Ajo shtoi më tej se vendi po plaçkitet nga kryeministri Rama e qeveria e tij dhe se politika shqiptare nuk ka patur asnjë plan për Durrësin që është lënë në mëshirë të fatit.
“Nafta çohet jashtë vendit për një copë bukë. Politika shqiptare s’ka patur asnjë plan për Durrësin. Durrësi sot është një qytet i uzurpuar. Në administratë vijnë nga qytete të tjera dhe jo nga Durrësi, qytetarët durrsakë janë lënë jashtë. Vjen dhe sheh rrugë të bllokuara, po të futesh në rrugica do shohësh që rrugët janë jo vetëm të pashtruara, por mjafton një shi dhe sheh që fëmijët e klasave të para e kanë të pamundur të shkojnë prej pellgjeve si liqen apo llucë me baltë.” – shtoi kryetarja e LSI-së.
Kryemadhi shtoi se LSI-ja kërkon t’i japë Durrësit një imazh të ri ndërsa theksoi se gratë e kanë detyrim të votojnë më 25 prill për të larguar njëherë e mirë kryeministrin Rama e qeverinë e tij.
“Durrësi është kthyer nga një gungë të rrethuar nga injoranca, nga zaptimi ekonomik, por është dhe e pamundur për zhvillime të reja. Duam t’i japim Durrësit imazh të ri, jo vetëm politik, por dhe një përfshirje me meritokraci që do i sillte shumë vlera Durrësit. Përfshirja juaj mos jetë vetëm politike, por edhe vendimmarrëse. Ajo që kërkojmë prej jush, jo vetëm votë për LSI, por ide dhe vizion për një projekt për Durrësin. Një grua sot në politikë e ka obligim për fëmijët e saj dhe për ta ndryshuar realitetin politik. 25 prilli është ditë e domosdoshme jo vetëm për të votuar, por për të biseduar dhe votuar kundër Ramës. Që ka grabitur çdo ditë të jetës së qytetarëve. Ndryshimi është i domosdoshëm. Jo për të sjellë një jetë politike, por për të rimëkëmbur integritetin dhe dinjitetin. Një kryeministër që bën pazar për Shqipërinë, nuk është më i tillë por një sharlatan që duhet larguar një orë e më parë.” – vijoi Kryemadhi.