Muaji shtator ka shënuar një rritje dramatike të numrit të aksidenteve në rrugë që kanë rezultuar fatal edhe në humbjen e më shumë jetëve në raport me shtatorin e një viti më parë.
Gjatë muajve të karantinës u vu re një numër më i ulët aksidentesh për shkak edhe të kufizimeve por duket se kthimi në normalitet ka bërë që shkujdesja në rrugë të jetë më e madhe.
Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave për aksidentet tregojnë se në muajin Shtator 2020 numërohen 138 aksidente rrugore nga 122 aksidente të ndodhura në muajin Shtator 2019, duke u rritur me 13,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Në nëntëmujorin e 2020, numërohen 903 aksidente rrugore nga 1.136 aksidente të ndodhura në nëntëmujorin e 2019, duke u ulur me 20,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në muajin Shtator 2020, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 184 persona nga 152 që ishte një vit më parë, duke u rritur me 21,1 %. Numri i të aksidentuarve në nëntëmujorin e vitit 2020, është 1.164 persona nga 1.570 persona, duke u ulur me 25,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.” vlerëson INSTAT.
I njëjti publikim sjell në vëmendje se në muajin Shtator 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 24 persona nga 20 persona të vdekur në Shtator 2019. Në nëntëmujorin e 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 138 persona nga 157 persona në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ajo që vihet re është një sjellje e shkujdesur e shoferëve që sipas INSTAT gjatë shtatorit është bërë shkak për aksidente në 89.9 për qind të rasteve ndërkohë që numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 33,3 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 17,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në nëntëmujorin e 2020, aksidentet rrugore, në 14,1 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 21,1 %, krahasuar me një vit më parë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor