Vendosni fjalën kyçe....

Basha komenton “mini-përballjen” me Ramën: Kishte marrë viza para se të dilte aty


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka komentuar përballjen e tij të shkurtër me kryeministrin Edi Rama, ditën e enjte në studion e emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.

Basha tha se sjellja e kryeministrit tregoi se ai ishte i frikësuar nga përballja me të dhe me pyetjet që ai kishte për t’i drejtuar në emër të shqiptarëve, madje e akuzoi kryeministrin se kishte marrë “viza” para se të paraqitej në emision.

“Ai tregon se është intimiduar. Ju e patë që dy tre herë refuzoi aksesin mediatik timin. Ju e patë se si gjatë dy orëve e gjysmë emission nuk i la gazetarët të flisnin. Këtu nuk bëhet fjalë për një person që mundohet të intimidojë, por në fakt ajo që shfaq ai është se sa frukacak është.

Jua them edhe njëherë që ky njeri prej 7 vitesh nuk mban asnjë premtim, që ky njeri I gënjen shqiptarët, që ky njeri është pas aferave që po I zhvasin paratë e shqiptarëve. Jua thashë, këtë e dinë të gjithë, ajo që panë shqiptarët ditën e enjte është se kemi të bëjmë dhe me një frikacak. Kishte frikë të përballet. Pastaj kur ke frikë të përballesh thua çfarë të vijë përpara në mendje. Pra kemi të bëjmë me një njeri të frikësuar. Jo me një njeri që përpiqet të më intimidojë, se mua s’më intimidon dot.

As gazetarët nuk i intimidoi dot siç e patë. Në pikëpamje të komunikimit ka prekur fundin. Por çfarë ti them? Cfarë ti them?

A e di pse? Se për këta punë është të vjedhësh. Po nuk vodhe nuk ke bërë punë, po nuk vodhe për këta fle gjumë. Të mos vjedhësh do të thotë të flesh gjumë.”– deklaroi Basha në një lidhje me programin “ABC-ja e Mëngjesit”.

“Pse nuk futesh në diskursin e tyre?”- kjo ishte pyetja që gazetari Enkel Demi i drejtoi kryetarit të opozitës, i cili tha se ky diskurs ka të vetmin qëllim për të larguar nga vëmendja e shqiptarëve problemet dhe debatin e vërtetë. Këtu ai hedh dhe dyshimet se kryeministri Rama nuk është paraqitur esëll në emision.

“Sepse diskursi i tyre ka një qëllim, të shmangë nga vëmendja e shqiptarëve problemet që këta kanë shkaktuar, debatin e vërtetë se si kemi ardhur deri këtu, si dilet nga kriza… Nga ky debat përfitojnë vetëm ata. Gjuha rrugaçërore tregon se ata nuk kanë përgjigje për pyetjet e mia dhe të shqiptarëve: se çfarë kanë bërë këto 7 vite, pse s’i kanë mbajtur premtimet, ku i kanë 300 mijë vende pune, ku e kanë shëndetësinë falas, ku i kanë legalizimet falas, ku i kanë taksat më të ulëta për 97% të shqiptarëve, çfarë plani kanë tani që po vjen vala e dytë e pandemisë, pse vazhdon të rritet numri i të infektuarve ndërkohë që bie numri i testimeve, çfarë planesh ka për t’ju ardhur në ndihmë familjeve që kanë humbur të ardhurat… Ky është debati i vërtetë për shqiptarët dhe kur nuk ke përgjigje për këtë debat, pastaj ja fut kodra pas bregut. Jo vetëm mua, por mendoj se qytetarët e meritojnë përgjigjen për të gjitha këto dhe përpjekjet për t’i ikur këtyre përgjigjeve me batuta, tregon vetëm se sa i skaduar është ky njeri, se sa i mbaruar është dhe sa i rrezikshëm është për shëndetin e shqiptarëve. Në fund të fundit, në këtë moment që flasim, spitalet janë pa mbështetje, mjekët pa mbështetje, numri i pacientëve po rritet. Këto janë hallet e problemet shqiptarëve, pastaj se sa viza merr njëri e se sa viza merr tjetri para se të dalë aty se s’ka kurajo të përballet as me gazetarët e as me mua, ky është një problem dytësor që mund të zbërthehet dhe e zbërthejnë me shumë profesionalizëm gazetarët dhe karikaturistët.”– deklaroi Basha.

Enkel Demi këtu ndërhyri: Unë që bëj një jetë të shëndetshme të pyes: Çfarë do të thotë të marrësh viza?

Lulzim Basha: E di fare mirë ti çfarë do të thotë… (qesh) do të thotë të mos kesh kurajon të përballesh esëll.

Enkel Demi: Kush merr viza?

Lulzim Basha: Edhe këtë t’ja lëmë ekspertëve se ia bën “Mu” kush merr viza.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *