Janë ngritur sot në protestë përpara bashkisë së Krujës, banorë të cilët kanë mbetur pa banesa për shkak të tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019.
Qytetarët kërkojnë të dinë se kur do fillojë shembja dhe rindërtimi i pallateve dhe banesave të dala jashtë funksionit.
Aktualisht banorët marrin një bonus qiraje, mirëpo nëntori po afron dhe kryeministri Edi rama u kishte premtuar se nëntori do i gjente në banesat e reja.
Ata shprehen se Rindërtimi në Thumanë, Fushë-Krujë dhe Bubq ka filluar, por në Krujë jo.
“Fushë Kruja ka filluar, Thumana ka filluar, ne nuk kemi asgjë as me kryetarin e Bashkisë, as me nënkryetarin. Si është e mundur që të fillojë Thumana dhe Fushë-Kruja dhe Kruja jo. Këtu ka diçka sepse këtu nuk ka asnjë projekt. Populli nuk del se ka frikë se i heqin bonusin a i heqin prej pune, nuk e di.
Ne s’po kërkojmë as bukë as gjë, ne po kërkojmë shtëpiat që na i prishi. Nuk na i prishi shteti, por shteti ka marrë gjithë ato lekë nga bota, për çfarë i ka marrë, a i ka marrë me na i bë shtëpitë? Bonusin e qerasë e marrim, nuk kemi problem me të, po akoma nuk po fillojnë shtëpitë. Ose nuk na duan, ose e kanë inat Krujën, nuk e di se çfarë bëhet. Faji është i dy partive bashkë që u bashkuan dhe na bënë me Fushë-Krujën bashkë.
Çfarë pune kishim ne me Fushë-Krujën bashkë, ishim mirë. Se është turp gjithë ky siklet, nuk ka një drejtues, gjithë ky qytet ka njerëz intelektual sa të duash, drejtora, nëndrejtora, të gjithë janë prej Fushe, asnjë nuk kemi krutanë. Turpi më i madh, gjithë ky qytet”, shprehet një banor.
Sekretari i Bashkisë Florind Cerhozi, u kërkoi protestuesve që të bëjnë një kërkesë me shkrim, të cilën ai do t’ua referojë Fondit Shqiptar të Zhvillimit, pasi rindërtimi varet nga ata. Ndërkohë kryeministri Edi Rama ndodhet sot në një takim me biznesin në Fushë Krujë.