Ministria e Arsimit ka reaguar pas denoncimit të deputetes demokrate Albana Vokshi, lidhur me situatën tek shkolla 9-vjeçare ‘’Emin Duraku’’ në Tiranë.
Vokshi denoncoi se 8 mësues kanë rezultuar me COVID-19 dhe 20 të tjerë janë karantinuar. Ministria e ka konfirmuar lajmin duke thënë se mësuesit janë zëvendësuar që procesi mësimor të vijojë pa ndërprerje dhe po ashtu janë marrë masa shtesë për të rritur numrin e psikologëve.
“Në lidhje me shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” në kryeqytet, dëshirojmë t’ju informojmë se mësimi në këtë shkollë po vijon normalisht.
Për shkak se disa mësues kanë rezultuar me COVID-19 dhe disa të tjerë janë karantinuar, nga ana e DPAP dhe zyrës arsimore vendore Tiranë janë marrë masat e menjëhershme për zëvendësimin e tyre në mënyrë që mësimi të vijojë pa ndërprerje. Njëkohësisht, është shtuar edhe numri i psikologëve për të qenë sa më pranë nxënësve e mësuesve me shërbimin psiko-social.”– thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.
Më tej, ministria thekson se dezinfektimi i shkollës në fjalë është kryer 3 herë gjatë javës së shkuar, ku dezinfektimi më i fundit u krye ditën e djeshme.
“Duam të sigurojmë prindërit e të gjithë opinionin publik se ne po punojmë intensivisht që jo vetëm në këtë shkollë por në të gjithë vendin, ambientet e shkollave tona të jenë të sigurta, me higjienizim të vazhdueshëm, me masa që respektohen e me nivel të lartë ndërgjegjësimi nga ana e nxënësve, mësuesve dhe gjithë stafit të shkollave.”– vijon më tej njoftimi.