Naftëtarët i janë përgjigjur kryeministritn Edi Rama lidhur me kërkesën e tij për të ndërprerë grevën, duke thënë se nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë por bisedimet të fillojnë.
Një prej punonjëseve të rafinerisë, Dhurata Ali, e cila prej 5 ditësh qëndron në grevë urie tha se ishte befasuar nga deklarata e kryeministrit.
Ajo shpjegoi se pavarësisht gjendjes së rëndë shëndetësore ato nuk do të largohen nga greva, por presin që negociatat të fillojnë ndërkohë që greva vijon.
“Ne jemi dakord të negociojmë. Jo, s’jam dakord të lë grevën. Rrogat e prapambetura, fillimi i punës, kaq kërkojmë asgjë më shumë. Posi, dakord, të vijë, të ulemi në tryezë, të negociojmë, ta zgjidhim çështjen, të vete dhe unë te fëmijët.
Pastaj negociojmë për fillimin e punës, ta negociojmë këtu me një grup negociatorësh. Absolutisht, të vazhdojë greva në kohën që vazhdojnë dhe negociatat. Po do i shkoj deri në fund grevës se jam shumë e rënduar nga ana shëndetësore.
Fëmijët na kanë parë në televizor dhe nëna imë ka parë që natën kam qenë shumë rëndë. Dhe shoqet tona.
Nuk e kemi në opsion fare ndërprerjen e grevës. Jemi befasuar… domethënë ndërprit grevën ti dhe fo të.. JO në asnjë mënyrë.”- tha zonja.
Një tjetër grua tha që nuk kishin më besim tek premtimet e kryeministrit Rama.
“Nuk besojmë më tek kryeministri, ka ardhur në uzinë me Gjiknurin na ka premtuar lekët, ka 3 vjet. Fëmijët nuk jetojnë me mashtrime. Vetëm lekët të na i hedh në bankë, vetëm kjo na nxjerr nga greva. Ka tre vjet e gjysëm, ku i ka lekët? Është bërë i pabesueshëm, me gënjeshta e me mashtrime, nuk rrojnë fëmijët tanë. Ata duan bukë ujë e drita. Po jetojmë si në mesjetë. Nga greva dalim vetëm nëse lekët na futen në bankë.”– tha naftëtarja.
Ndërkohë komente kanë patur edhe burrat naftëtarë, të cilët kanë mbajtur të njëjtin qëndrim. Ata thanë se nuk do e ndërpresin grevën e urisë deri sa të firmosen dokumentet dhe të zgjidhet halli i tyre. Naftëtarët e presin kryeministrin në bisedime.
“Jemi në grevë urie për bukën e gojës, për pagat, nuk jemi as politike. Këtu nuk ka politikë në grevën e urisë. Kryeministrin e përgëzojmë, të vijë kryeministri të ulemi dhe të negociojmë, ne duam djersën tonë nuk duam lëmoshë. Të rrijë burri me 200 lekë në xhep është gjynah. Ne jemi të gatshëm në çdo kohë që të negociojmë se po luftojmë për gjëra bazike. Kryeministri i bëj një pyetje se është familjar vetë. A lihen fëmijët 1 vit pa bukë të dalin të vjedhin e të bëjnë krime? Kryeministri të vijë është i mirëpritur. Greva nuk ndërpritet se jemi të zhgënjyer nga Kryeministri, në qoftë se ai është burrë, të vijë këtu të firmosim dokumentet dhe ne dalim nga greva e urisë”, tha njëri nga naftëtarët.