Si pasojë e pandemisë komisionet parlamentare kanë kaluar online por deputetët duket se nuk po i trajtojnë me seriozitetin e duhur, pasi edhe për çështje të rëndësishme kanë zgjedhur të debatojnë dhe votojnë nga makina, kafja apo restoranti.
Instituti i Studimeve Politike ka ngritur shqetësimin për këtë çështje, ndërsa merr si shembull deputetët Adnor Shameti, Ilir Beqja, Arlind Çarçani apo Halit Valteri.
Shameti pas kreu formalitetet tek ‘Ligjet’ kaloi tek Komisioni i Politikës së Jashtme duke relatuar në dy rastet marrëveshjen e Shqipërisë me NATO-n, që mund të hyjë në histori si i pari akt ligjor i NATO-s i diskutuar nga makina.
“Ligji është në përputhje me Kushtetutën, marrëveshja ka vlerë të jashtëzakonshme për integrimin dhe marrëdhëniet me NATO-n”. Deklarata të tilla dëgjohen në seanca plenare dhe në Kuvend, por aktiviteti online parlamentar ofron alternativa të tjera. Stafi monitorues i Institutit të Studimeve Politike (ISP) ka evidentuar se këto deklarata nuk u bënë nga mjediset e punës së komisioneve në Kuvend, por nga makina dhe mjedise publike. Deputeti relator i ratifikimit Adnor Shameti ka vijuar praktikën e përsëritur javën e kaluar nga deputeti Ilir Beqaj, duke zhvilluar debat parlamentar, duke relatuar, duke diskutuar dhe duke votuar … nga makina!
Në dallim nga rasti “Beqaj”, në rastin “Shameti” deputeti nuk ndodhet në zyrë për të vijuar në makinë, por fillimisht është në mjedise publike jashtë parlamentit (kafe, restorant !!) dhe pasi kryen formalitetet me Komisionin e Ligjeve, në pak minuta diferencë vijon të njëjtat formalitete në Komisionin e Politikës së Jashtme, por tashmë duke u zhvendosur në makinë!
Dy fotot ilustruese tregojnë deputetin në Komisionin e Ligjeve dhe pak minuta më vonë në makinë, duke relatuar në dy rastet marrëveshjen e Shqipërisë me NATO-n. Bëhet fjalë për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për mbështetje teknike ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s për realizimin e projekteve të Kuçovës të financuara nga Programi i Investimeve të NATO-s për Sigurinë vitet 2019-2022”. Ironikisht, ky mund të jetë akti i parë ligjor në historinë e NATO-s që diskutohet e miratohet nga… makina!”- shkruan ISP.
Përmes një njoftimi për mediat, ISP kërkon t’i jepet fund kësaj praktike dhe deputetët në këto kushte krize pandemie të debatojnë dhe votojnë në komisione të paktën nga ambientet e banesës apo zyra pune.
Për këtë arsye i bën thirrje Kuvendit që të reflektojë dhe të ruajë standardet.
“Mbledhja e fundit e konferencës së kryetarëve i dha të drejtë shqetësimit publik të ISP dhe kërkoi që deputetët të marrin pjesë në mbledhjet online nga mjedise pune në zyrë, parti apo në banesë, duke i dhënë fund praktikës së pjesëmarrjes, debatit dhe votimit nga rruga, lokalet apo udhëtimi me makinë. Të njëjtin vendim e citoi në mbledhjen e mësipërme të Komisionit të Ligjeve edhe kryetari i këtij komisioni Ulsi Manja, duke theksuar se në respekt të etikës, integritetit dhe solemnitetit institucional ky orientim do të zbatohet, duke mos pranuar në mbledhje deputetë që e shkelin atë.
Shqetësimi i ISP nuk lidhet personalisht me individin politikan, Beqaj, Shameti, Valteri, Çaçani, etj, deputetë të cilët në monitorime janë subjekt i diskutimit dhe votimit nga makina; nuk lidhet as me alibi jo serioze të nevojës për të bërë lajm, por lidhet me konceptin ligjor mbi demokracinë funksionale dhe parlamentarizmin, me integritetin, etikën, seriozitetin dhe solemnitetin e aktivitetit parlamentar, të institucionit të deputetit dhe të aktit të rëndësishëm të vendimmarrjes ligjore me impakt për vendin, shtetin ligjor dhe qytetarët. Dhe për këtë Kuvendi ka në detyrim ligjor e moral të reflektojë, së paku, që edhe në rastet e krizave të funksionimit dhe rënies së besimit publik, të ruajë minimumi standardet formale të aktivitetit të tij.”– shkruan ISP.