Tre personave në Tiranë e Berat u ka shkuar formulari i vetëdeklarimit të burimit të pasurisë.
Ata janë dënuar më herët për shfrytëzim prostitucioni, vjedhje me armë e trafikim të miturish.
Sipas policisë dyshohet se ata e kanë vënë pasurinë në mënyrë të paligjshme.
Personat që duhet të dorëzojnë formularin e plotësuar brenda 48 orësh janë Ferdinand Etemaj alias Ferdinand Etemi, Elton Drapi dhe Dorjan Memaj.
Njoftimi
Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
F.E. alias F. E., banues në Berat, i dënuar për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”;
E.D., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i të miturve”;
D.M., banues në Shkozë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.