Vendosni fjalën kyçe....

Mjeku në Britani paralajmëron se koronavirusi mund të mos zhduket kurrë


Koronavirusi ndoshta nuk do të zhduket kurrë dhe as një vaksinë nuk do ta ndalojë atë plotësisht. Kështu është shprehur figura kryesore e luftës së bluzave të bardha kundër pandemisë në Britaninë e Madhe, Sir Patrick Vallance.

Këshilltari kryesor shkencor, duke folur me anëtarët e Dhomës së Lordëve, tha se virusi një ditë do të bëhet si gripi dhe se do të shkaktojë shpërthime çdo vit.

Ai tha se ministrat dhe ekspertët duhet të ndalojnë ‘premtimet e tepërta’ dhe të jenë realistë rreth perspektivave të një vaksine dhe afateve kohore të mundshme për një të tillë.

Sir Patrick tha se nuk ka të ngjarë që ky shpërthim të përfundojë para pranverës, duke u bërë jehonë paralajmërimeve të tij të mëparshme dhe të kolegut të tij profesor Chris Whitty se lufta kundër Covid-19 do të jetë e gjatë.

“Unë mendoj se nuk ka gjasa që ne të përfundojmë me një vaksinë vërtet sterilizuese – dmth diçka që e ndalon plotësisht infeksionin – dhe ka të ngjarë që sëmundja të qarkullojë dhe të jetë endemike”– tha Sir Patrick në një takim të Komitetit të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Lordëve pasditen e së hënës.

Përkufizimi mjekësor i endemisë përshkruan një sëmundje që është vazhdimisht e pranishme.

“Ky është vlerësimi im më i mirë dhe mendoj se është pikëpamja e shumë njerëzve në SAGE se ky është një rezultat i mundshëm. Është e qartë, ndërsa menaxhimi bëhet më i mirë, ndërsa vaksinoheni, gjë që do të zvogëlojë mundësinë e infektimit dhe ashpërsinë e sëmundjes, kjo fillon të duket më shumë si grip vjetor se sa çdo gjë tjetër. Ky mund të jetë drejtimi në të cilin do përfundojmë.”- ka deklaruar Wallace, citon Daily Mail.

Në të njëjtin takim, Sir Patrick tha se ai ende beson se një pandemi e gripit është kërcënimi më i madh për Mbretërinë e Bashkuar dhe se zyra e tij ka vendosur një sistem të dytë në rast se ka një krizë tjetër para se të mbarojë epidemia e koronavirusit.

Gripi është aq i vështirë për t’u kontrolluar sepse virusi pëson shpejt mutacione – ndonjëherë një herë në vit ose më shumë – që do të thotë se mbrojtja nga vaksinat e mëparshme nuk zgjat shumë.

Sir Patrick tha se kjo mund të ndodhë me Covid-19, megjithëse dha një rreze shprese se koronavirusi nuk shndërrohet askund aq shpejt. Kjo ngre perspektivën që njerëzit mund të jenë në gjendje të zhvillojnë imunitet afatgjatë ndaj tij.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *