Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka dalë sot në një konferencë për mediat ku i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe koalicionet zgjedhore.
Kryemadhi tha se për këtë është në pritje për të parë vendimin e presidentit Ilir Meta për miratimin ose jo të Kodit Zgjedhor.
“Sa i përket Kodit Zgjedhor është vetëm një taktikë elektorale. Ne jemi përballur gjithmonë me taktikat elektorale të Edi Ramës. Besoj i mbani mend ndryshimet që u bënë brenda natës. Taktikat elektorale krijojnë lehtësim shpirtëror te hallexhiu, por nuk shtojnë numrin e votave në kutitë e votimit. Ata mund të ndryshojnë çfarë të duan, por numri i votave është i njëjtë në fund të fundit.
Ne jemi në pritje se ç’do të ndodhë me Kodin Zgjedhor për strategjinë tonë. Presidenti i ka dhënë fjalën ndërkombëtarëve për t’i krijuar edhe një shans marzhorancës për të mos dalë mbi ‘5 qershorin’.
Sa i përket kalkulimeve të jeni të bindur se fuqia e opozitës është e jashtëzakonshme dhe nuk ka të bëjë me atë që ne theksojmë ‘strategji politike’, por do të kalojë përmasat dhe më 25 prill do të jetë plebishitare. PD po përzgjedh kandidatët, ne si LSI jemi në një proces zgjedhor. Kështu që të gjithë jemi drejt hapjes së partisë”, deklaroi Kryemadhi.