Kreu i qeverisë Edi Rama ka mbledhur sot Task Forcën ku po flet për masat e qeverisë kundër Covidit.
Ai tha që mbyllja e dytë është e mundshme, në rast se shtohen të infektuarit me shifra shumë të larta.
Ndërsa u bënte kritika qytetetarëve për mosmbajtjen e maskës, Rama vetë e hoqi atë ndërkohë që në fillim e mbante.
“Unë personalisht kur dal dhe vë këtë nuk ndihem as i lumtur dhe as i çliruar dhe nuk ë vë këtë nga frika se do më ndalojë policia në rrugë, por e vë se është detyrim fillestar, elementar, thelbësor, njerëzor dhe qytetar për të mos u bërë shkak që të tjerët të marrin infeksionin në rsst se e marr unë por edhe për të kontribuar që të bëjmë diçka të gjithë së bashku.”– tha Rama.
Pasi përsëriti qëndrimin e qeverisë se rimbyllja nuk është opsion u bëri thirrje qytetarëve që të zbatojnë masat e thjeshta.
“Unë dhe ministrja jemi me fat, pasi skuadra jonë e ekspertëve është e nivelit të lartë ndërkombëtar, dhe jemi adaptuar siç janë adaptuar të gjithë. Sot që flasim, vendosja e detyruar e maskës vijon që të krijojë polemika në Europë dhe në Amerikë.
Ne nuk duam të mbyllemi, nuk duam t’iu themi njerëzve që shkojnë në punë, rrini në shtëpi. Nuk duam t’iu themi atyre që lëvizin, që të mos lëvizin më, nuk duam që të mbyllim shkollat, nuk duam t’iu themi studentëve që edhe këtë vit të rrimë në shtëpi.
Nuk duam po si mund t’i bashkojmë këto të dyja, dëshirën për mos t’u mbyllur, dhe mundësinë e mbytjes nga infeksionet. Mbytja mund të vijë në pak javë nëse nuk mbrohemi. E duan që Covidin ta vrasë shteti me çifte.
Duan të jetojnë syhapur dhe të dëgjojnë muzikë dhe jo zërin e arsyes. Dhe ku ia mbyll muzikën dëgjojnë ca që bëjnë konspiracion që Bill Gates do t’iu fusë çipa në trup. Nuk po i kërkohet njeriut të plagoset për atdheun, por të mos dalë nga shtëpia pa vënë maskën, të ruajë distancën dhe të mos e provokojë këtë armik të përbashkët”, deklaroi Rama.
Për shmangien e një mbyllje të dytë të vendit, qeveria ashpërsoi masat anti-covid duke e bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës edhe në rrugë. Në rast të moszbatimit të këtyre masave, parashikohen gjoba për qytetarët.
Rama tha se kjo po bëhet për të shmangur një mbyllje të dytë që vendi ynë nuk e përballon dot.