Kryeministri Rama sqaroi gjatë konferencës së përbashkët me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Dendias, të gjitha temat e diskutuara gjatë takimit me të.
Kreu i qeverisë përmendi njohjen e lejeve të drejtimi, njohjen e vulës apostile e njohjen e dokumenteve të tjera.
Në fund kryeministri përmendi edhe çështjen e detit duke thënë se kishte rënë dakord me zyrtarin e lartë të Athinës se kjo çështje do i kalojë instancave ndërkombëtare.
Ai i shtoi se Greqia ka qenë dhe mbetet partner strategjik i Shqipërisë.
“Greqia ka qenë e mbetet një partner strategjik. Jemi dakord që të punojë bashkarisht për t’i adresuar e zgjidhur me frymë konstruktive e angazhim të përbashkët të gjitha çështjet që duhen zgjidhur mes vendeve tona që janë në të mirën e të dy vendeve tona. Nuk është një çështje e Greqisë çështja e të drejtave të minoritett grek në Shqipëri, është një çështje e jona gjithashtu. E njëjta gjë vlen edhe për shqiptarët që jetojnë në Greqi. Na intereson që të jenë në kushtet më të mira dhe besoj se është edhe në interesin e Greqisë.
Kemi diskutuar pë të çuar më tej axhendën në këtë drejtim. Falë vullnetit të mirë të kryeministrit Mitsotakis u bë njohja në parlament e lejeve të drejtimit. U bë pranimi i vulës apostile për të lehtësuar proceset administrative. Po kështu edhe dakordësia për njohje të dokumenteve. Diskutimi për pensionet është i hapur por qoftë me Greqinë, qoftë me Italinë s’është i lehtë pasi bëhet fjalë për një zgjidhje që në aspektin financiar kërkon një impenjim serioz. Greqia s’ka në asnjë moment pengesë për integrimin tonë në BE.
E kam të qartë që të gjithë i kanë veshët nga pushtimi i radhës nga Greqia me anë të detit. Kemi rënë dakord që këtë çështje ta trajtojmë me instancat ndërkombëtare për të vendosur pikat mbi i në bazë të ekspertizës dhe të drejtës ndërkombëtare të detit. Me vjen keq për patriotët e detit. Duhet të gjejnë arsye të tjera për të shpallur patriotizmin e detit sepse me këtë s’mund të bëjnë propagandën e shpifur anti-greke e as të marrin elektoral patriotik në Shqipëri e Kosovë. Të vetëvendosen në çështje të tjera. Po punojmë për një takim të përbashkët mes dy qeverive. Do punojmë edhe për heqjen e ligjit të luftës” – tha Rama.