Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbledhur këtë të martë drejtuesit politikë të PS-së në qarqe në takimet e përjavshme.
Në përfundim të një takimi me drejtuesit politik, Rama tha për gazetarët se PS ka nisur përgatitjet për krijimin e skudrës së re për zgjedhjet e 2021. Sipas tij deri tani kanë shprehur interes 50 persona të rinj në moshë.
“Në platformën e aplikimeve për njerëz që duan të na bashkohen, që janë të rinj në ide duan të na bashkohen në skuadrën tonë të 2021 në kaq pak ditë kemi më shumë se 50 shprehje interesi. Numri do të rritet dhe ne do të integrojmë ata që kanë një potencial, që të jenë pjesë e skuadrës dhe skuadra jonë do të ketë edhe eksperiencën, por edhe energjinë e re që i duhet politikës dhe PS”, deklaroi kryeministri.
Rama foli dhe për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Ai tha se janë të gjitha mundësitë për ta çuar përpara këtë proces, ndërsa shtoi se vendet do të plotësohen sipas të gjitha rregullave.
“Nuk ka asnjë detyrë të drejtpërdrejtë qeveria në këtë drejtim, sepse sistemi është i pavarur prej nesh, por në dijeninë time janë të gjitha mundësitë që ne si parlament, si vend, ta çojmë përpara këtë proces. Shpresojmë që procesi të vazhdojë normalisht dhe vendet të plotësohen sipas të gjitha rregullave dhe procedurave”, deklaroi kryeministri.