Vendosni fjalën kyçe....

7 ditë në grevë, gratë naftëtare në Ballsh thirrje Ramës: Na jep zgjidhje


Ndërsa kanë hyrë në ditën e 7 të grevës së urisë, gjendja shëndetësore e grave naftëtare të Ballshit sa vjen e rëndohet.

Gratë kanë shfaqur kollë, lodhje fizike, luhatje tensioni dhe probleme me zemrën. E pavarësisht kësaj shprehen të vendosura për ta çuar grevën deri në fund, ndërsa i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama të ulet në bisedime me to.

 “Nuk dorëzohemi asnjëherë sa të bëjmë atë kauzën tonë sa të marrim rrogat dhe të kthehemi në punë. Jemi shumë të lodhura, kemi pasur nevojë edhe për ndihmën e mjekëve, i kemi marrë në telefon”,– tha njëra prej grave për Balkanweb.

“E rënduar dhe në siklet të madh ndjehem, por e kam thënë dhe do ta them se do qëndroj deri në fund sa të marrim rrogat. Unë do bëj sakrificë deri në fund. Deri tani asnjë gjë, i lutemi kryeministrit t’i japë zgjidhje sa më parë” – apeloi një tjetër.

Ndërsa për Euronews, njëra prej grave Dhurata Ali, tha:“Unë sot jam ngritur mund të them me një dhimbje në zemër dhe mpirë krahu komplet, i shikoja shoqet a ishin mirë apo jo dhe nuk ndihesha se bëheshin merak. Të gjitha jemi shumë keq. I bëj një thirrje qeverisë të na nxjerri që këtej, të na japi ato që kërkojmë, kauza jonë është e drejtë. I kujtoj dhe njëherë pagat e prapambetura, rigjallërimin e qytetit, të fillojë punë uzina”.

Dy nga grevistet janë dërguar në spitalin e Ballshit për të marrë ndihmën mjekësore dhe pas kësaj janë rikthyer sërish në ambientet ku po zhvillohet greva.

Gratë naftëtarë kanë lajmëruar se nëse nuk marrin një përgjigje gjatë këtyre ditëve ato do të thërrasin në grevë edhe fëmijët e tyre.

Ndërkaq burrat naftëtarë qëndrojnë jashtë ambienteve ku po zhvillohet greva.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *