Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen 4 të dyshuar për atentatin e dështuar ndaj biznesmenit Andon Dhima


Policia ka arrestuar 2 të dyshuar si autorë dhe 2 të tjerë si bashkëpunëtorë lidhur me atentatin ndaj biznesmenit Andon Dhima.

Përmes një njoftimi nga policia, bëhet e ditur se dy të dyshuar u ndaluan në zonën e “Brrylit”, ndërsa dy të tjerë pranë “Mozaikut të Tiranës”.

Të dyshuarit kryesorë, të shfaqur edhe në videot që kanë qarkulluar në rrjet nga atentati janë: Gridi Lena, 45 vjeç, dënuar më parë me 6 vite burg për grabitje me armë në Gjermani; dhe Altin Hoxha, 35 vjeç, dënuar më parë për plagosje me armë.

Fytyrat që pamë përmes kamerave të sigurisë, nuk ishin fytyrat e vërteta të dy personave të arrestuar tashmë.

Sipas policisë, Gridi Lena dhe Altin Hoxha kishin vënë maska silikon kur hynë me një armë në dorë për të qëlluar biznesmenin Andon Dhima në Tiranë, i cili në moment të fundit u fut në ashensor, që e shpëtoi nga atentati. Tentativa për vrasje ndodhi më 15 tetor, kur biznesmeni po futej në hyrjen e pallatit ku banon në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë.

Policia ka vënë në pranga edhe dy persona të dyshuar si bashkëpunëtorët e atentatit: Maringlen Matohiti, 30 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë si dhe Enea Hoxha 26 vjeç, lindur në Laç dhe banues në Tiranë, i dënuar më par me 4 vite e 9 muaj për “Prodhim dhe shitje te lendeve narkotike”. 

TË DHËNAT E POLICISË

Finalizohet operacioni policor i koduar “Stuhia”.

Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP-së, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Zbardhet tentativa për vrasjen e 51-vjeçarit, në rrugën “Muhamet Gjollesha”.

Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga dy autorët që ndoqën 51-vjeçarin, për ta vrarë. Autorët me precedent të theksuar kriminal për vjedhje me armë dhe plagosje.

Në pranga edhe dy bashkëpunëtorët e autorëve, njëri prej tyre me precedent kriminal në fushën e narkotikëve.

Sekuestrohet arma e zjarrit me të cilën autorët do kryenin krimin, automjeti me të cilin u larguan, maskat e përdorura për të mos u identifikuar, rroba policie e prova të tjera që shërbyen për dokumentimin e ngjarjes.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë, menjëherë pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi A. Dh., i cili ka treguar se mbrëmjen e datës 15.10.2020, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, dy persona të maskuar dhe të armatosur e kanë ndjekur deri në hyrje në hyrje të pallatit, me qëllim për ta eliminuar atë, menjëherë kanë organizuar punën në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe strukturat hetimore të DVP Tiranë, për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i një pune intensive hetimore dhe profesionale të bërë nga këto struktura, u bë i mundur sigurimi i provave që çuan në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Mbi bazën e provave të siguruara nga Komisariati i Policisë Nr. 2 u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Stuhia”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe prangosja e dy autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, konkretisht:

  1. L., 45 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë me 6 vite burgim, për vjedhje me armë në Gjermani, dhe A. H. 35 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje me armë.

Po në kuadër të operacionit u bë e mundur të identifikohen dhe të ndalohen dhe dy bashkëpunëtorët në këtë ngjarje, shtetasit:

  1. M., 30 vjeç dhe E. H., 26 vjeç, i dënuar më parë me 4 vite e 9 muaj, për “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Nga veprimet e para hetimore dhe procedurale u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale: një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, mjeti në pronësi te shtetasit A. H., që dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes, veshjet e përdorura nga autorët, një shkop hekuri policie nga ato me hapje, një palë pranga, 6 telefona celular, rroba uniforme policie dhe kamuflazhi e prova të tjera materiale.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *