Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj është shprehur skeptik për punën e SPAK lidhur me hetimin e denoncimit të opozitës për koncesionet e incineratorëve.
Alibeaj në një intervistë për Syri TV tha se nuk ka besim te SPAK duke e cilësuar denoncimin ndër testet e para për prokurorinë e re të krijuar nga Reforma në Drejtësi.
“Ne kemi çuar tre padi për këtë çështje në SPAK. Kjo çështje është nga skandalet më të më të mëdha të kësaj qeverie. Kjo pasi edhe në të ardhmen do të zhvaten paratë e shqiptarëve.
Qëndrimin për sistemin e drejtësisë e kemi bërë të qartë. Ky sistem është qartësisht i kapur. Nëse më pyet a jam besimplotë te SPAK, mund të them jo. Them jo për faktin se ky është ndër testet e para. Testi i parë ishte korrupsioni elektoral,” tha Alibeaj, duke theksuar se testi i dosjeve elektoral tregoi dështimin e SPAK.
I pyetur se përse vazhdojnë t’i çojnë dosjet në SPAK, ai tha se po testohet ky institucion.
“Ne do të vazhdojmë t’i çojmë dosjet për çfarëdolloj skandali. Për një arsye të thjeshtë: duhet t’i çojmë sepse kjo është rruga më e qartë, edhe si kulturë politike. Në mos sot, nesër, këto letra janë të depozituara në SPAK dhe kush nuk vepron do të mbajë përgjegjësi.
Ne jemi skeptikë që në fillim, por është mirë që ta testojmë SPAK për të mos i lënë askujt alibi që përse nuk i shkuam drejtësisë. Ky është testi i vërtetë i SPAK, nëse ka dhëmbë për të kafshuar të fuqishmit,” tha Alibeaj.