Partia Demokratike ka denoncuar në SPAK, incineratorin e Fierit. Pas kallëzimeve për incineratorët e Tiranës dhe Elbasanit, selia blu ta bërë të njëjtën gjë me atë të Fierit.
Në deklaratën për mediat pas dorëzimit të kallëzimit, ish-deputeti Alibeaj tha se incineratori i Elbasanit dhe Fierit kanë të përbashkët Klodian Zoton dhe grabitjen e shqiptarëve.
“Historia e incinerarorit të Fierit me atë të Elbasanit ka të përbashkët një emër, Klodian Zoton. Përfitoi 5 milionë euro pa hedhur një lopatë dhe. Zero investim. Klodian Zoto mori 15 milionë euro kredi ndërsa qeveria i dha 28 milionë euro. 13 milionë euro i thith gropa e zezë e incinerarorit. Duhet të kishte përfunduar pasi ka nisur në vitin 2015, nuk ka nisur akoma. Kjo shoqëri ka zero punonjës të punësuar. Klodian Zoto e Klodian/Mirel Mërtiri janë ata që kanë qarkulluar gjithçka me mbështetjen e Edi Ramës, ministrit të Mjedisit, Arben Ahmetajt dhe të një turre administratorësh të lartë. Është një aferë e vetme korruptive që i ka mbledhur të gjithë si mizat për të zhvatur paratë e shqiptarëve.” – tha Alibeaj.
Ish-deputeti i bën thirrje SPAK-ut që të nisë menjëherë hetimet për denoncimet mediatike e ato të PD-së për incineratorët. Alibeaj theksoi se SPAK-u ka mundësinë të tregojë sa i pavarur, sa i aftë dhe sa i pakapur është me hetimin e çështjes në fjalë, që është një testim.
“Ardhja jonë këtu është edhe për të testuar drejtësinë e re. Ligji përë SPAK-un ka qenë një nga ligjet që është votuar e mbështetur më fort nga ne. Sot kanë mundësinë të provojnë sa të pavarur janë, sa të aftë janë, sa të pakapur janë nga pushteti e paratë e krimit. Mes tyre e zbatimit të ligjit është një mal 500 milionë euro por për këtë arsye janë të mirëpaguar, janë me imunitet të plotë e janë trumpetuar si institucioni që do vendosë drejtësinë.” – shtoi Alibeaj.