Paraditen e sotme, kryeministri Edi Rama ka folur për portet bregdetare në vend.
Rama tha se Shqipëria “do hyjë në një hartë ku ka munguar me dekada, harta e turizmit të detit në aspektin e ekonomisë së detit”.
Në Konferencën për Mediat, Rama deklaroi se javën që vjen do nisë spostimi i portit ekzistues në Durrës. E po ashtu do të hapet një garë ndërkombëtare për portin e ri të këtij qyteti.
“Së shpejti do nisim transformimin e madh të Durrësit të spostojmë portin ekzistues që e ka mbaruar prej kohësh misionin e tij si një port komercial mallrash në mes të qytetit që është një infrastrukturë e dalë kohe prej kohësh me standarte mjedisore shumë të ulëta, për të mos thënë zero e pengon në mënyrë gjithmonë e më shqetësuese hedhjen e një hapi në një epokë tjetër, është një infrastrukturë me potencial të jashtëzakonshëm sa i përket turizmit” – tha Rama.
Të njëjtën gjë parashikon kryeministri dhe për portin e Vlorës.
“Po kështu do bëjmë dhe me Vlorën porti ekzistues është infrastrukturë arkeologjike në aspektin e standartit, shërbimeve dhe impaktit negativ që ka në zonën e bregdetit që prek drejtpërdrejt qytetin.
Vizioni i zhvillimit të mëtejshëm me pjesën 3 të Lungomares përfshin dhe një port turistik, për të krijuar një kanal të ri kontakti me Vlorën, sikundër Durrësin.
Dhe për Vlorën jemi gati për një proces ku do mund të sistemojmë me standarte bashkëkohore portin e shërbimeve”– tha Rama.
Ai foli për një port të tretë bregdetar në Sarandë, që do të jetë i pari port që do të nisë si turistik.
“Në pak javë do mund edhe të fillojmë të japim gjithë autorizimet për fillimin e portit të tretë, që do jetë i pari që do nisë turistik, në Sarandë, për të cilin kemi marrë një propozim fantastik e që ndryshon aty paradigmën e zhvillimit të Sarandës”-deklaroi kryeministri.