Kryeministri Edi Rama ka falenderuar SHBA-në dhe NATO-n për ndihmën që kanë dhënë për spitalet në vendin tonë me 60 respiratorë.
Rama tha se NATO e veçanërisht SHBA kanë qenë një ndihmë e pashlyeshme ndaj Shqipërisë, edhe në momente të tilla, të vështira për vendet e tyre.
“Jo më kot një fjalë e urtë e jona thotë që miqtë e mirë duken në ditë të vështira, jemi në një moment ku bota është duke u përballur me një përshkallëzim të së keqes. U jam shumë mirënjohës SHBA-ve që dhe në këtë rast janë treguar të vëmendshme ndaj Shqipërisë”, u deklaroi Rama.
Kryeministri tha se dimri që vjen do të jetë një nga më të vështirët sipas parashikimeve të ekspertëve dhe se 60 respiratorët do të jenë një ndihmë e madhe për vendin tonë.
“Solidariteti nuk ka munguar dhe as vëmendja për vende më të vogla dhe një vend si Shqiptëria. Ka një domethënie historike dhe të paharrueshme për ne.
60 respiratorët që i shtohen sot fuqisë sonë të instaluar për të përballuar këtë dimër , që do jetë i vështirë sipas parashikimeve që bëjnë ekspertët në të gjithë vendet e botës dhe ata këtu për Shqipërinë, janë kuptimplotë, jo vetëm në aspektin e gjestit por edhe në aspektit të ndihmës konkrete në fuqizimin e sistemit.
Nga sot këta respiratorë do të jenë në vijën e zjarrit për të mbrojtur jetë, për të shpëtuar jetë. Ndërkohë dhe ne si vendet e tjera jemi të angazhuar për të mos lejuar që kjo krizë shëndetësore humanitare të shndërrohet në një krizë sigurie.”– deklaroi Rama.