Ndahen pas 16 vitesh martesë dhe më shumë se 20 vitesh bashkë, Anna Wintour dhe bashkëshorti i saj Shelby Bryan.
Page Six raportoi se marrëdhënia midis redaktores së revistës Vogue dhe investitorit nga Teksasi është ftohur që në vitin 2013 dhe çifti shumë rrallë janë parë së bashku në publik që nga ajo kohë.
Wintour dhe Bryan filluan të dilnin bashkë që nga viti 1999, një romancë që shkaktoi shumë zhurmë në elitën e New York-ut sepse Bryan thuhet se u nda nga gruaja e tij për të qenë me të.
Në atë kohë, Wintour sapo ishte divorcuar nga burri i saj psikiatër David Shaffer, me të cilin ka dy fëmijë.
Wintour dhe Bryan e kurorëzuan lidhjen duke u martuar në një ceremoni tepër sekrete në vitin 2004.
Një përfaqësuese për Wintour nuk pranoi të komentonte mbi raportin e Page Six për prishjen e martesës së saj.
Gazeta pretendon se ka pasur “thashetheme nëpër qytet që Bryan ishte kthyer tek ish-gruaja e tij Katherine, të cilën ai e la për Wintour më shumë se dy dekada më parë”.
Sidoqoftë, një burim anonim për gazetën deklaroi se ato thashetheme janë të pavërteta.
“Katherine dhe Shelby kanë fëmijë së bashku dhe janë miq. Kjo është e gjitha”– pretendoi personi.
Martesa e Wintour dhe Bryan thuhet se ka hasur në telashe që në vitin 2013, kur u zbulua se ai i detyrohej 1.2 milion dollarë taksa IRS-së.
Dyshja shpesh merrnin pjesë në evenimente dhe ndeshje tenisi në vitet e mëparshme, por që nga ajo kohë janë parë më rrallë në publik krah njëri-tjetrit.