Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, shkarkuar nga detyra këshilltaren Hajrie Gashi, pas raportimeve në media se babai i saj është përfshirë në vjedhjen e mby dy milionë eurove.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë zv.kryeministrja Halimaj përmes një postimi në Facebook.
“Pas raportimeve në media se prindi i këshilltares sime Hajrie Gashi është i përfshirë në vjedhjen e mbi 2 milion eurove, kam marrë vendim që znj Hajrie Gashi ,me efekt të menjëhershëm, t’a liroj nga detyra e këshilltares.
Znj Hajrie që nga fillimi ka qenë ndër këshilltaret e përkushtuara jashtë mase dhe me sukses ka kryer të gjitha detyrat e ngarkuara nga unë!
Edhe pse jam e vetëdijshme që askush nuk duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e familjarëve të tij, në këtë rast të saj, për shkak që kemi të bëjmë me një krim shumë të rëndë, lirimin e saj nga detyra e shoh si të domosdoshëm.
Këtë vendim e kam marrë për të hequr çdo dyshim para qytetarëve se funksioni i lartë i këshilltares do të mund të përdorej për pengim të drejtësisë!”, shkruan Halimaj.
Sipas medieve në Kosovë, babai i këshilltares Hajrie Gashi, është përfshirë në skandalin ku dyshohet se janë vjedhur 2 milionë euro nga Thesari i Buxhetit të Kosovës.
Kadri Shala, është njëri nga biznesmenët në arrati, i cili po kërkohet për përfshirjen në këtë skandal.
Transferimi i mbi 2 milionë eurove ishte bërë përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Drenasit (Gllogocit), 30 kilometra larg Prishtinës.