Kryeministri Rama e kreu i PD-së, Basha, janë përplasur në rrjetet sociale lidhur me incineratorët.
Pas akuzave të kryedemokratit ndaj kreut të qeverisë gjatë bashkëbisedimit me gazetarët paraditen e sotme, ka ardhur reagimi i Ramës.
Në një postim në Twitter ai shkruan se falë impianteve moderne për trajtimin e plehrave që po ndërtohen, në qytetet e vendit do ndërtohen parqe ku mund të luajnë qytetarët.
“Po Lulzim ka qenë PD dhe e tërë politika e vjetër e mbledhur në formë malesh me plehra në mes të Tiranës, Elbasanit,Fierit e kudo, ku falë impianteve moderne që do të vazhdojmë të ndërtojmë, do mund të mblidhen njerëzit e të gjitha moshave për parqet e për aktivitete gjithëfarë!” – shkruan Rama.
Pak më pas ka ardhur kundërpërgjigjja e Bashës, po në Twitter. Kryedemokrati shkruan se politika e vjetër ka erën e gropës së Hajdin Sejdisë që Rama si kryebashkiak nuk e mbylli për 11 vjet.
Ndërsa shton se në 7 vitet e qeverisjes së Ramës vendi është mbushur me plehra që djegin milionat që janë zhvatur nga xhepat e shqiptarëve.
“Politika e vjetër ka erën e gropës së Hajdin Sejdisë ku nuk vure dorë 11 vjet si kryetar bashkie, ka fytyrën e zërin tënd që për 7 vjet e mbushe vendin me plehra dhe me inceneratorë që djegin vetëm milionat që ke zhvatur nga xhepat e shqiptarëve. Dita e llogarisë po afron!” – shkruan Basha.