Në ceremoninë e dorëzimit të 60 respiratorëve nga NATO dhe SHBA-ja si ndihmë për vendin tonë, kryeministri Edi Rama bëri një paralajmërim për pronarët e lokaleve dhe restoranteve.
Rama u kujtoi atyre se mund t’u “sulë dhe policinë” për të bërë kontrolle, ndaj u kërkon që të respektojnë masat e vendosura për parandalimin e përhapjes së pandemisë.
“Duke u ndalur tek situata me COVID-19, dua t’ju lutem, t’ju përgjërohem qytetarëve shqiptarë që mos ta bëjnë atë më të vështirë. Do t’i lutem atyre që s’duan ta besojnë se sa e vërtetë dhe e vështirë është kjo luftë dhe mbyten në lugën e ujit të konspiracionit dhe të thashethemeve dhe llafeve që janë fukarallëk i klubeve dhe e përqeshin këtë luftë.
I lutem atyre që ushtrojnë aktivitetin e tyre në restorante, në bare, që të mos e përqeshin rrezikun, të mos e sfidojnë shtetin.
Të mos e konsiderojnë tolerancën tone dhe mirëkuptimin tonë për vështirësitë e tyre dhe mos të vënë në rrezik jetën e tyre dhe qytetarët. Janë protokolle që dunën përcaktuar. S’është e vështirë për ne që të sulim policinë në bare e restorante, por a është kjo që duam? Ata harrojnë se duke bërë kështu, rrezikojnë të kontribuojnë për mbylljen e lokalit dhe të marrin mbrapsht një goditje marramendëse. Nuk është koha që të shfrytëzojnë çdo metër katror. Përqeshja ndaj rrezikut do të ishte katrastrofik.”- deklaroi kryeministri Rama.