Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Eduart Ndocaj, u shoqërua në polici paraditen e sotme pasi tentoi të merrte pjesë në përurimin e shtëpisë muze të At Gjergj Fishtës.
Veprimtaria ishte me ftesa personale dhe Ndocaj mesa duket nuk e kishte një të tillë.
Në një videoje të shpërndarë nga vetë Ndocaj tregohet përplasja e tij me gardistët ndërsa sipas biznesmenit, urdhri për të mos marrë pjesë në veprimtari është dhënë nga kryeministri Rama.
Jo çdokush e kujton por pak vite më parë, Edi Rama, asokohe kryeministër dhe biznesmeni Eduart Ndocaj drekonin së bashku në kryeqytetin italian, Romë.
Në një vizitë të kreut të qeverisë në vendin fqinj, ai u takua me Ndocajn dhe një grup personash të tjerë duke drekuar së bashku.
Gjithçka ndodhi para se Ndocaj të bëhej deputet i PS-së për Qarkun e Lezhës, në vitin 2017. Ndocaj zuri vendin e Armando Prengës në Kuvend në radhët e socialistëve pasi ai hoqi dorë prej tij.
Në zgjedhjet e vitit 2017, Ndocaj nuk u përfshi në listën e kandidatëve për deputet nga radhët e PS-së.
Ai ka bërë në jo pak raste akuza ndaj kryeministrit Rama pas zgjedhjeve të vitit 2017 duke e akuzuar atë si kryeministrin më të rrezikshëm që ka pasur Shqipëria dhe se është zgjedhur nga kriminelët.