Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria, rekord në Europë për koncesionet e partneritetit publik privat (PPP)


Shqipëria shënon një rekord në Europë sa u përket angazhimeve jashtë bilancit të qeverisë, që ka marrë për koncesionet e formës së Partneritetit Publik-Privat (PPP), në 9.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Kjo përqindje është të paktën tre herë më e lartë sesa shteti që shpenzon më shumë për PPP-të në Europë, Sllovakia, sipas përllogaritjeve të Monitor, bazuar në të dhënat e projektbuxhetit 2021 nga Ministria e Financave dhe të dhënave të Eurostat për shtetet e BE-së, për angazhimet jashtë bilancit të PPP-ve.

Sipas relacionit të projektbuxhetit 2021, për 13 kontrata koncesionare, qeveria ka nënshkruar kontrata me një vlerë totale 195 miliardë lekë, ose gati 1.6 miliardë euro, të cilat do të shlyhen gradualisht për një periudhë 10 apo më shumë vjeçare.

Nga kjo shumë, deri në fund të vitit 2020 janë paguar dhe pritet të paguhen në total 36 miliardë lekë, ose rreth 18% e vlerës totale të kontratave. Në dekadat e ardhshme (maksimumi deri në 2046, kur përfundon dhe koncesioni i fundit i inceneratorit të Tiranës) do të duhet të paguhen edhe gati 160 miliardë lekë të tjera (1.3 miliardë euro). Kjo shumë është sa 9.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të pritshëm të vitit 2021.

Ministria e Financave, ka sqaruar se referuar kuadrit ligjor për koncesionet/PPP, dhënia me koncesion/PPP e një pune, shërbimi apo vepre nuk është një instrument borxhi, por një alternativë e njohur edhe ndërkombëtarisht, e cila përzgjidhet nëse ofron vlerën më të mirë për para, në përputhje me dispozitat e ligjit 125/2013 “Për koncesionet/PPP”, të ndryshuar. Financat llogarisin në shpenzimet korente apo kapitale vetëm pagesat e vitit përkatës që kryhen për kontratat koncesionare.

Si rrjedhojë, ky detyrim i lidhur me PPP-të që duhet paguar në vitet në vijim, që është sa 9.5% e PBB-së (shiko tabelën) llogaritet si vlerë jashtë bilancit të qeverisë e partneriteteve publike private.

Nëse krahasojmë të njëjtën të dhënë për shtetet e Bashkimit Europian, Shqipëria ka një angazhim shumë të lartë me projektet PPP, në raport me madhësinë e ekonomisë së saj. Sipas Eurostat, për vitin 2018, Sllovakia ka nivelin më të lartë të detyrimeve të lidhura me PPP-të të regjistruara jashtë bilancit, prej 3.15% të PBB-së, e ndjekur nga Portugalia me 2.96%, Hungaria (1.65%), Mbretëria e Bashkuar (1.56), ndërsa Italia, Austria, Kroacia, Greqia, Spanja etj, e kanë këtë tregues nën 1% të PBB-së.

Shumë shtete të BE-së si Bullgaria, Çekia, Gjermania, Franca, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Polonia, Rumania, Sllovenia, Suedia kanë një ekspozim zero ndaj PPP-ve.

Rreziqet

Shqetësimet për PPP-të shihen nga ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare në tre këndvështrime:

-Së pari, projektet PPP nuk raportohen si borxh, por në buxhet shfaqen vetëm pagesat korrente të vitit, në formën e shpenzimeve operative dhe atyre kapitale. Nëse detyrimet potenciale të mbetura prej 1.3 miliardë eurosh do të llogariteshin si borxh, atëherë borxhi i përgjithshëm qeveritar do të rritej menjëherë me 9.5 pikë përqindje, duke e çuar atë në 93% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga rreth 83% që pritet të mbërrijë në fund të 2020-s, sipas FMN-së.

-Së dyti, nëse rrezikohet që pagesat e koncesioneve të tejkalojnë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit të mëparshëm, qeveria do të detyrohej të korrektonte të ardhurat, ku veprimi që sjell më shpejt para në buxhet është rritja e taksave. Pasi i pezulloi dhe uli një pjesë të pagesave për 2020, pas krizës së Covid-19, për vitin e ardhshëm qeveria është detyruar t’i rikthehet normalitet, duke dyfishuar pagesat për koncesionet në 14.4 miliardë lekë, ose rreth 120 mln euro.

Edhe për 2021, financat presin që të ruhet rregulli fiskal, në nivelin e 3.7%, nëse kriza vazhdon dhe të ardhurat tatimore ulen, kryerja e pagesave të koncesioneve është e detyrueshme sipas kontratave, duke rrezikuar kalimin e kufirit prej 5%.

-Së treti, ka munguar një analizë e qartë kosto-përfitime dhe ndarje rreziku, nëse zgjedhja për t’i dhënë shumë shërbime me koncesion ka qenë alternativa më e mirë. Përvoja po tregon se në shumë raste, kostot kanë rezultuar të fryra dhe vazhdojnë e rriten pa kontroll, apo se kompanitë po i gëzohen një fitimi të sigurt pa marrë përsipër asnjë rrezik (si në rastin e koncesioneve në mjekësi). Vetë Financat kanë pranuar se për shumë projekte koncesionare, rreziku financiar është marrë përsipër nga shteti.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Revista Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *