Ish-deputeti i PD-së, Tritan Shehu, ka reaguar pas moskualifikimit nga Komisioni i Vlerësimit në garën për deputet në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Në një përgjigje në faqen e tij në Facebook, demokrati shkruan se nuk do komentojë mendimet e anëtarëve të komisionit ndërsa shton se vendimin për të qenë ose jo deputet e kanë institucionet e PD-së si kryetari, kryesia dhe Këshilli Kombëtar.
Shehu shkruan gjithashtu se vlerësimi i vërtetë për të ishte votimi i anëtarësisë së degës së PD-së në Gjirokastër.
“Në përgjigje të disa pyetjeve që po më vinë në lidhje me hamendësi mediatike për një mendim negativ ndaj meje të një «komisioni», po rendis disa rreshta. Së pari realisht nuk dua të komentoj mendimet që mund të kene për mua individë të ndryshëm, qoftë dhe pjesë e ndonjë «komisioni», kjo do të më dukej e tepërt, jo e nevojëshme dhe vlerësuese.
Pa pasur ndonjë rëndësi thelbësore të qenit apo jo deputet për veprimtarinë time politike, të cilën e kam realizuar që më 1990 si një nga nismëtarët e PD, si kryetar i saj, ministër, deputet, apo pa pasur asnjë nga këto ofiqe kudo ku kam qenë apo ku jam, dua të nenvizoj se:
1-Vendimin për të kandiduar për deputet mbas votimit të antarësisë së PD e kanë tagër vetëm institucionet statuore të saj, Kryetari, Kryesia e Këshilli Kombëtar, askush tjetër.
2-Ndërsa vlerësimi i vërtetë për mua ishte ai votim, që bëri së fundmi antarësia e PD së Gjirokastrës, e cila ashtu siç më ka mbështetur në këto vite më mbështeti përsëri me votën e saj të qartë. Ky vlerësim është thelbësor jo vetëm për mua, por dhe për PD, veçanërisht kur vjen nga ata njerëz të tillë të mençur, që ashtu siç dinë të të «hapin derën», dine edhe të ta «mbyllin atë», siç edhe ka ndodhur.” – shkruan Shehu në Facebook.