Ambasadorja shqiptare në SHBA, Floreta Luli Faber ka dalë pozitive me Covid-19 pas vizitës së saj në vendin tonë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë ambasadorja përmes një postimi në Facebook, ku sugjeron se mund ta ketë marrë virusin pikërisht në Shqipëri.
Ajo shprehet se në momentin kur ka ardhur në vendin tonë, doli negative në testin për koronavirusin ndërsa testin e dytë ku doli pozitive e bëri në aeroport pas kthimit nga Shqipëria.
Ambasadorja Faber thotë se ka patur pafund takime pune dhe informale në Shqipëri dhe nuk mundet dot t’i njoftojë të gjithë një e nga një, prandaj po e bën njoftimin përmes rrjeteve sociale.
“Të dashur miq, Sot u ktheva nga Shqipëria pas një udhëtimi pune dhe pasdreke arrita në Uashington. Sapo zbrita në aeroport, si masë profilaktike bëra testin e Covid-19. Përgjigja ishte Pozitive.
Ju njoftoj nëpërmjet këtij mesazhi, pasi këto ditë kam zhvilluar shumë takime pune me mjaft zyrtar dhe kolegë, si dhe kam takuar pa fund shokë e miq, familjarë dhe njerëz të afërm, të cilët nuk i njoftoj dot një nga një.
Unë u testova negativ ditën kur u nisa drejt Shqipërisë. Në çdo ambjent apo takim, zyrtarë apo miqësor, kam mbajtur maskë dhe kam ruajtur distancën e kërkuar, por qartësisht jo mjaftueshëm. Mos i hiqni në asnjë moment maskat. Uroj më të mirën për secilin nga ju”, shkruan ambasadorja Faber.