Policia ka vënë në pranga dy të rinj, të cilët dyshohen se shpërndanin heroinë dhe kokainë kryesisht në zonën e Astirit në kryeqytet, por edhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Të arrestuarit janë: Juris (Julian) Çobo, 32 vjeç dhe Klevis (Nelton) Arbri, 36 vjeç, të dy banues në Tiranë.
“Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një punë hetimore disa mujore, finalizoi operacionin policor të koduar “Kalaja”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve : J(J).Ç., 32 vjeç dhe K(N).A., 36 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 190 gramë lëndë narkotike heroinë, 93 doza me lëndë narkotike kokainë, një shumë parash të përfituar nga kjo veprimtari kriminale, 2 peshore elektronike dhe 3 aparate celular.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri- tjetrin shpërndanin lëndë narkotike të llojit heroinë dhe kokainë në zonën e Astirit dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë”, thotë Policia.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.