Vendosni fjalën kyçe....

Humbi jetën në aksident, Meta dekoron mësuesen në Devoll me titullin “Naim Frashëri”


Presidenti i vendit Ilir Meta ka dekoruar mësuesen Luiza Dule të shkollës 9-vjeçare “Selami Kodra” të fshatit Arrëz në Devoll, me Titullin “Naim Frashëri”, e cila ka humbur jetën në një aksident ndërsa shkonte në punë.

Meta tha se ky titull i jepet mësueses së ndjerë me motivacionin: “Në vlerësim për mësuesen e paharruar, nënën dhe familjaren model, simbol i përkushtimit të pashembullt në përhapjen e dijes dhe edukimit të brezave të rinj, duke sakrifikuar edhe jetën e saj”.

Meta iu drejtua familjarëve të mësueses dhe përfaqësuesve më të lartë të pushtetit vendor, stafit pedagogjik, nxënësve dhe banorëve të pranishëm duke thënë se: “shkollat nuk janë thjesht qendra të punësuarish gjatë gjithë jetës, ku mësuesit ndihmojnë nxënësit e tyre të mendojnë e analizojnë në mënyrë kritike, të zgjidhin problematika, të formojnë gjykime dhe të marrin njohuri nga të cilat përfitojnë jo vetë nxënësit, por e gjithë shoqëria jonë. Ato janë shumë më tepër se kaq. Ndaj profesioni fisnik i mësuesit meriton vlerësimin më të lartë nga gjithë shoqëria jonë, sepse mësimdhënia është thelbësore për zhvillimin social, kulturor e ekonomik të vendit, për vetë të ardhmen tonë”.

Meta tregon se edhe prindërit e tij kanë qenë mësues, ndërsa shpreh vlerësimet e tij për mësuese Luizën.

“Të jesh mësues është një mision fisnik, që kërkon përkushtim e sakrificë çdo ditë të jetës. Këtë nuk e them vetëm si President i Republikës, por edhe për një fakt të thjeshtë se të dy prindërit e mi kanë qenë mësues dhe e di shumë mirë se sa shumë jetojnë me shqetësimet e nxënësve të tyre, se sa shumë gëzohen me arritjet e tyre.

Mësuese Luiza u përpoq fort gjatë gjithë punës së saj si mësuese, të sillte ndryshime pozitive në jetën e komunitetit të nxënësve dhe prindërve në këtë zonë të largët, duke iu ofruar dije, kulturë, edukatë dhe mbi të gjitha dashuri.

Në një ditë dhjetori, si çdo ditë, ajo përsëri u nis drejt nxënësve të saj, edhe pse dita ishte e akullt dhe rruga ishte e ngrirë dhe e rrezikshme, dashuria dhe përkushtimi për detyrën, për nxënësit dhe misionin e saj fisnik bënë që ajo të nisej drejt shkollës së saj dhe nxënësve të dashur.

Fatkeqësisht, mësuese Luiza nuk arriti dot as atë ditë dhe as kurrë më, në shkollën e saj, te nxënësit e saj të dashur pasi aksidenti i mori jetën, duke shkaktuar dhimbje e lot te fëmijët, nxënësit, familjarët, kolegët, dhe të gjithë komuniteti.

Vitet do të kalojnë, por emri i mësuese Luizës do të mbetet i përjetshëm në zemrën e nxënësve, që ajo i edukoi dhe i deshi me shpirt, të kolegëve, me të cilët ndante pasionin për misionin fisnik të mësuesit, të fëmijëve, të bashkëshortit e familjarëve të saj, të cilët e kanë mbështetur pa kushte, në zgjedhjet që ajo bëri.

Mësuese Luiza është sot një nga dëshmorët e shkollës sonë shqipe dhe të arsimit tonë, të atyre që sakrifikuan edhe jetën për të mësuar, edukuar, e ndriçuar mendjen e fëmijëve tanë”, deklaroi presidenti Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *