Koreja e Veriut ka paralajmëruar qytetarët e saj që të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre, duke thënë se pluhuri i verdhë sezonal që fryn nga Kina mund të sjellë koronavirusin në vend.
“Ndërsa infeksionet e reja të koronavirusit vazhdojnë të përhapen në të gjithë botën, nevoja për t’u marrë me pluhurin e verdhë dhe për të marrë masa është bërë më kritike”, raportoi të enjten gazeta zyrtare e partisë së Koresë së Veriut, Rodong Sinmun, citon Reuters.
Pretendimi se virusi mund të përhapet në Korenë e Veriut përmes erës që sjell pluhurin nga shkretëtira e Gobit, që ndodhet plot 1.900 km larg, duket e pambështetur në shkencë.
Deri më tani shkencëtarët kanë kërkuar një distancë sociale prej 2 metrash, megjithëse Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thonë se piklat që përmbajnë virusin ndonjëherë mund të qëndrojnë në ajër për orë të tëra.
Gazeta e Koresë së Veriut thotë se qytetarët duhet të ndalojnë aktivitetet në natyrë dhe duhet të mbajnë maska në fytyrë kur dalin jashtë.
Koreja e Veriut nuk ka raportuar deri më tani asnjë rast të konfirmuar të koronavirusit, një pretendim që mjaft ekspertë të shëndetit e vënë në dyshim. Pyongyang ka vendosur kontrolle të rrepta kufitare dhe masa karantine për të parandaluar një shpërthim të koronavirusit.
Të enjten, ambasada ruse në Korenë e Veriut shkroi në Facebook se Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut kishte urdhëruar të gjithë vizitorët në vend dhe stafin e tij të presin stuhinë e pluhurit brenda.