Vendosni fjalën kyçe....

Meta përshëndet 75-vjetorin e themelimit të OKB-së: Gurthemeli i një bashkëpunimi shumëpalësh


Kreu i Shtetit Ilir Meta, ka përshëndetur themelimin e OKB-së në 75-vjetorin e krijimit të saj.

Kjo datë përkon edhe me 65-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në të.

Meta quan gurthemeli të bashkëpunimit shumëpalësh të bazuar në rregulla nga e cila përfiton bashkësia globale.

Meta në postimin e tij nuk lë pa përmendur rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës.

Postimi i plotë:

Në këtë jubile të rëndësishëm, të 75-vjetorit të themelimit të OKB, që përkon me 65-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në të, besojmë thellësisht se Kombet e Bashkuara, mbeten ende gurthemeli i një bashkëpunimi shumëpalësh të bazuar në rregulla, nga i cili përfiton bashkësia globale si e tërë.

Shqipëri ka përqafuar dhe ka zbatuar parimet e Kartës së OKB-së dhe ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë çdo përpjekje ndërkombëtare në të mirë të paqes dhe sigurisë, sepse besojmë fort se multilateralizmi është thelbësor për trajtimin e sfidave globale.

Në këtë 75-vjetor të Organizatës sonë, shprehim mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme që kemi marrë nga OKB, që provoi edhe në këtë vit fatkeqësish natyrore për vendin tonë, se ishte një partnere e vërtetë, veçanërisht me ndihmën e dhënë për tejkalimin e pasojave të tërmetit tragjik dhe përballimit të COVID-19.

Duke uruar, në këtë përvjetor, një të ardhme sa më të ndritur për Organizatën tonë dhe të gjitha vendet e saj anëtare, do të dëshiroja të riafirmoja dhe një herë mbështetjen e përkushtuar të Shqipërisë për një rend të mirëbazuar në rregulla, të reformuar dhe ripërtërirë, me Organizatën e Kombeve e Bashkuara në qendër të tij.

Shqipëria beson fort se Republika e Kosovës është faktor i rëndësishëm i sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe anëtarësimi i saj në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu Kombet e Bashkuara, do të sillte përfitime jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë bashkësinë ndërkombëtare.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *