Vendosni fjalën kyçe....

Virologu italian kundër mbylljes së dytë: Mjaft me histeri, Covid-19 nuk është murtajë


Virologu i njohur në Itali Giorgio Palù, beson se tamponimi masiv për Covid-19 është i panevojshëm po ashtu edhe bllokimi, ndërsa e ka konsideruar histeri atë që po ndodh në vendin e tij lidhur me pandeminë.

“Ka shumë alarm. Nuk ka dyshim se po përballemi me një valë të dytë të pandemisë, por qarkullimi i virusit nuk është ndalur kurrë, edhe nëse në korrik rastet dukej se ishin zhdukur, falë verës, ajrit të hapur, rrezeve ultraviolet që vrasin virusin. Pastaj ishte kthimi nga pushimet, rihapja e shumë aktiviteteve dhe mbi të gjitha kthimi në shkollë ”- thotë mjeku në një intervistë për Corriere Della Sera.

Rezultati është që numri i “rasteve” po rritet. Por si t’i interpretojmë drejt këto shifra, pyetet virologu.

“Nga këto, 95 përqind nuk kanë simptoma dhe për këtë arsye nuk mund të përkufizohen si të sëmurë, pika e parë. Pika e dytë: është e sigurt që këta njerëz janë ‘infektuar’, domethënë kanë rënë në kontakt me virusin, por nuk është e sigurt se ata janë ‘ngjitës’, domethënë se mund të transmetojnë virusin te të tjerët. Ata mund ta bënin atë nëse kishin një ngarkesë të lartë virale, por për momentin me testet që kemi në dispozicion, nuk është e mundur të përcaktojmë nëse e shpërndajnë virusin.” – thotë profesori i njohur.

Palù e konsideron të panevojshëm tamponimin e njerëzve që s’kanë simptoma, ndërsa shpjegon se përse disa njerëz që e përmbajnë virusin nuk e transmetojnë atë.

 “Për shkak se ata mund të kenë një ngarkesë të ulët virale, sepse mund të jenë bartës të një lloji më pak virulent të virusit ose sepse ata kanë vetëm fragmente gjenetike të virusit, të zbulueshme nga testi, por të paaftë të infektojnë njerëzit e tjerë.

Ne duhet të ndërmarrim veprime nëse identifikohen ”grupe të infektuarish”, që do të thotë kur ka disa raste pozitive në mjedise pune, në shkollë apo në familje, vetëm në këtë rast duhet të ketë tampone për të gjithë personat e kontaktit”, thotë mjeku italian, i cili sqaron më tej se e vetmja shifër e rëndësishme është ajo e personave që gjenden nën kujdesin intesiv.

“Ajo që ka vërtet rëndësi është të dimë se sa njerëz mbërrijnë në kujdesin intensiv: është ky numër që jep dimensionin real të gravitetit të situatës. Në çdo rast, ky virus ka një vdekshmëri relativisht të ulët, mund të vrasë, por nuk është murtajë”.

Palù shprehet se personalisht është kundër masave të bllokimit të vendit, për të frenuar pandeminë. Madje bën thirrje që t’i jepet fund me histerinë: “Unë jam kundër si qytetar sepse do të ishte vetëvrasje për ekonominë tonë; si shkencëtar sepse do të penalizonte edukimin e të rinjve, të cilët janë e ardhmja jonë, dhe si mjek sepse do të nënkuptojë se njerëzit e sëmurë, që vuajnë nga sëmundje të tjera, veçanërisht nga tumoret, nuk do të kishin mundësi trajtimi. E gjithë kjo përballë një sëmundjeje, Covid-19, e cila në fund ka një vdekshmëri të ulët. Kjo nuk është aq vdekjeprurëse. Ne duhet t’i japim fund kësaj histerie “.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *