Vendosni fjalën kyçe....

Edi Rama: Skandaloz sulmi i Metës mbi bashkëshorten e Carlo Bollinos


Kryeministri Edi Rama ka komentuar reagimin e Presidencës lidhur me raportimet e disa medieve të majta mbi shtetësitë e dhëna nga presidenti Ilir Meta.

Rama thotë se sulmet nga Presidenca në drejtim të botuesit Carlo Bollino dhe bashkëshortes së tij Alba Malltezi janë skandaloze. Sipas tij, faji i vetëm i gazetarëve është se i shërbejnë publikut.

“Sulmi skandaloz i Ilir Metës mbi Alba Malltezin, bashkëshorten e Carlo Bollinos, është një tjetër zhytje e presidentit të republikës në bozën e vulgaritetit, brutalitetit,antishtetit! Çfarë dreqin do akoma nga Shqipëria ky njeri që ka marrë më shumë se kushdo në historinë e saj!

 I vetmi faj i Alba Malltezit dhe Carlo Bollinos është se i shërbejnë publikut me kurajon e me profesionalizmin e tyre dhe Ilir Meta është i fundit shqiptar në planet që mund t’i kërkojë hesap kujtdoqoftë, jo më Albës e Carlos, për si i sigurojnë të ardhurat e tyre! Çfarë katandie”, shkruan Rama.

I gjithë ky diskutim erdhi pas shkrimeve me kritika ndaj presidentit Meta lidhur me dhënien e shtetësisë shqiptare të një futbollisti afrikan të Tiranës, që akuzohej për falsifikim dokumentesh.

Mediat në pronësi të Carlo Bollinos, kanë publikuar disa shkrime ku akuzojnë presidentin se ka kryer shkelje të rënda të ligjit në dhënien e shtetësisë shqiptare për dhjetëra persona.

Zëdhënësi i presidentit Blushi reagoi duke publikuar copëza nga një e-mail, që pretendonte se gazetari Adriatik Doçi ia ka çuar një deputeti të PS-së në Kamëz, duke e kërcënuar lidhur me punësimin e bashkëshortes së tij. Sipas zëdhënësit të presidentit, lajmet e shkruara prej gazetarit janë të rreme.  

Blushi gjithashtu i drejtoi disa pyetje të forta Bollinos, ai pyet edhe nëse bashkëshortja e tij Alba Malltezi është hetuar nga prokuroria për pastrim parash.

“A është bashkëshortja juaj A.M, ortake në “FFM Group”, një shoqëri e krijuar më 2011 me ortake edhe E.D si dhe një kompani italiane e quajtur “Superba S.R.L” me seli në Napoli?

A ka qenë kjo e fundit nën hetim nga Prokuroria shqiptare për pastrim parash në zonat offshore?”, shkruante Tedi Blushi.

Reagimi i Blushit u mor si kërcënim ndaj gazetarëve.

Por Blushi mohon që të ketë sulmuar gazetarët për shkak të shkrimeve kritike që ata kanë bërë. Ai thotë se vetëm ka risjellë në vëmendje një shkrim të socialistit Alfred Pezës dhe ka publikuar një email të deputetit Sadri Abazi, dhe se nëse kjo konsiderohet sulm, atëhere ky sulm ka ardhur nga PS-ja.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *