Presidenti turk Recep Tajip Erdogan ka sulmuar homologun e tij francez Emmanuel Macron, duke thënë se ai ka nevojë për trajtim mendor për shkak të qëndrimit që ka mbajtur ndaj myslimanëve dhe Islamit.
Në fillim të këtij muaji, Macron u zotua të luftojë “separatizmin islamik”, i cili sipas tij po kërcënonte të merrte kontrollin në disa komunitete myslimane përreth Francës.
Franca është tronditur nga ngjarja e rëndë e 16 tetorit, kur një mësuesi historie iu pre koka nga një radikal islamik, i cili kishte dashur të hakmerrej pse arsimtari u kishte prezantuar karikaturat e profetit Muhamed nxënësve të tij në një orë mësimi për lirinë e shprehjes.
“Cili është problemi i këtij personi të quajtur Macron me myslimanët dhe Islamin? Macron ka nevojë për trajtim mendor”– tha Erdogan në një fjalim në një kongres partisë së tij AK në qytetin e Kayserit.
“Çfarë tjetër mund t’i thuhet një kreu shteti që nuk e kupton lirinë e besimit dhe që sillet në këtë mënyrë për miliona njerëz që jetojnë në vendin e tij, të cilët janë anëtarë të një besimi tjetër?”– shtoi Erdogan, citon Reuters.
Presidenti turk tha se pas komenteve të Macronit mbi “separatizmin islamik”, vërejtjet ishin “një provokim i qartë” dhe treguan “moskokëçarjen” e udhëheqësit francez.
Turqia dhe Franca janë vende anëtare të NATO-s, por kanë pasur mosmarrëveshje mbi politikat në Siri dhe Libi, juridiksionin detar në Mesdheun lindor dhe konfliktin në Nago-Karabak.