Ish-deputetja demokrate Oriola Pampuri, ka denoncuar vdekjen e një qytetari duke e konsideruar krim shtetëror.
Pampuri thotë se 53-vjeçari Lufti Çekuri ndërroi jetë pas 3 ditëve sorollatje të kota nëpër dyert e spitaleve të Covid. Sipas deputetes ai nuk mundi të kurohej pasi mjekët e sorollasnin.
Në fakt vetë qytetari para disa ditëve kishte folur para kamerave, se si mjekët e sorollasnin nga një spital në tjetrin.
Pacientët me Covid-19 janë drejtuar për te Urgjenca sipas deputetes, pasi spitali Infektiv është i tejmbushur.
Pampuri thotë se përgjegjësi i vetëm për këtë gjendje është kryeministri Edi Rama.
DENONCIMI I PAMPURIT
Shëndetësia është në gjendje kolapsi! Në dyert e spitaleve Covid dhe në urgjencën e QSUT-së, 24 orët e fundit kanë qenë dramatike!
Situata është totalisht jashtë kontrollit, shtretërit janë drejt ezaurimit, shërbimi është në ditët e tij më të këqija dhe pacientët po lihen në rrugë.
Lajmi tragjik i humbjes së jetës së një babai 53-vjeçar pas 3 ditëve sorollatje të kota nëpër dyert e spitaleve, është klithma e alarmit!
I pashpresë, i rropatur dhe i drobitur, Lutfiu i ndjerë përcolli dhimbjen dhe emergjencën e situatës disa ditë me radhë edhe në media. Fatkeqësisht, zëri i tij i lodhur nga vuajtja ra në vesh të shurdhët. Ai nuk mundi të kurohej, duke lënë pas familjen e tij.
Ndiqni dëshminë e një babai, që vdiq para syve tanë, sepse nuk mori dot shërbimin e merituar në dyert e spitaleve.
Vdekja e Lutfi Çekirit nuk është thjesht një humbje jete rutinë. Është një krim shtetëror.
Përgjegjësia për këtë jetë të humbur është e qeverisë së të paaftëve dhe të pandjeshmëve!
Kjo situatë e paprecedentë ka shqetësuar dhjetëra mjekë dhe familjarë të pashpresë, të cilët na kanë telefonuar dhe na kanë bërë me dije se pacientët me Covid-19 janë drejtuar për te Urgjenca, pasi spitali Infektiv është i tejmbushur.
Kjo është e pafalshme! Kjo është alarmante!
Kjo qeveri e paskrupull, e cila edhe në momentet më të vështira, nuk u përgjigjet qytetarëve, por vijon aferat korruptive dhe tenderat sekretë. Pasojat e kësaj papërgjegjshmërie dhe paaftësie ulëritëse janë ata njerëz të zakonshëm si Lutfiu i ndjerë, që e pësojnë me jetë indiferencën, arrogancën dhe zhvatjen e kësaj qeverie.
Bashkë me kolegë të tjerë, kemi qenë tek i ashtuquajturi spital COVID 4, që në muajin korrik, për t’i tërhequr vëmendjen qeverisë të marrë masa urgjente.
Përgjigja e Edi Ramës dhe e Ogerta Manastirliut ishte vetëm propaganda, e cila ka mbjellë sot më shumë pasiguri në spitale, ka sjellë viktima të pafajshme, i ka lënë njerëzit në pamundësi për t’u mjekuar, duke i marrë edhe jetën.
Sot mund të dalin dhe të lajmërojnë se do të hapin Covid 3. Nuk është e mjaftueshme! Covid 3 më të vërtetë nuk është një spital. Është ish pavijoni i urologjisë, me një përshtatje bazike të 11 dhomave me nga 2 shtretër. Pra, ai mund të akomodojë vetëm 22 persona, pothuajse asgjë për numrin e lartë në rritje të të infektuarve. Është një zgjidhje vetëm për pak ditë, ndërsa situata pritet të përkeqësohet.
Përgjegjësi i vetëm për këtë gjendje është Edi Ramën, i cili refuzon me kryeneçësi të pranojë dështimin e vet dhe të marrë e të realizojë planin e paraqitur nga kryetari i Partisë Demokratike për përballimin e situatës.
I kemi treguar rrugën që në 11 mars, 2 ditë pas shpalljes së rastit të parë me COVID. Nuk bëri asgjë, përveçse nxori tanket në rrugë dhe gjobiti njerëzit!
I kemi kërkuar të hapë spitalet rajonale, të angazhojë mjekët e familjes, t’i trajnojë e t’i shpërblejë këta mjekë, që t’i vinë në ndihmë njerëzve, të lehtësojnë 2 spitalet Covid, në mënyrë që të mos ndërpritet trajtimi për kurimin e pacientëve të tjerë.
Nuk bëri asgjë!
Edi Rama refuzon me kokëfortësi të marrë vendime në interes të qytetarëve, sepse ai as nuk di dhe mbi të gjitha, nuk do!
Të dashur qytetarë, ju lutem, kujdesuni për veten në mënyrë maksimale, pasi Shqipëria nuk ka një qeveri. Ajo që shohim ne është një shfaqje teatrale me aktorë sharlatanë! Dhe pasojat janë jetë te humbura si e babait 53 vjeçar, për të cilin qeveria nuk ishte askund, kur ai kishte nevojë më shumë se kurrë.
Për hir të një jetë të humbur nga dështimi i menaxhimit të situatës në spitale, Ogerta Manastirliu duhet të largohet! Nuk është një zgjidhje përfundimtare, pasi shefi i saj Edi Rama është përgjegjësi kryesor për këtë gjendje të mjeruar, por ai ka treguar me qindra herë se është i pandjeshëm për hallet e njerëzve.