Dy persona janë arrestuar në aeroportin e Rinasit brenda pak orësh, pasi kishin tentuar të korruptonin oficerët e policisë, që këta t’i lejonin të kalonin për në vendet e BE-së.
Sipas policisë, 41-vjeçari nga Tirana me inicialet A. M., dhe 56-vjeçari nga Divjaka me inicialet Q. M., nuk e justifikonin qëllimin e lëvizjes dhe nuk plotësonin kushtet për të udhëtuar në hapësirën Schengen.
I pari i kishte ofruar punonjësit të Policisë Kufitare 50 euro, ndërsa tjetri i cili donte të udhëtonte bashkë me bashkëshorten, ka ofruar 100 euro, me qëllim lejimin e kalimit.
Njoftimi i policisë:
Intensifikohen kontrollet për përmbushjen e kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së.
Kontrollet për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e falsifikimit të dokumenteve, me qëllim udhëtimin për të kërkuar azil.
Policia Kufitare e Rinasit, brenda pak orësh godet dy raste të mitëdhënies.
Tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë Kufitare, me qëllim lejimin për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së edhe pse nuk plotësonin kushtet, vihen në pranga dy shtetas.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas, në zbatim të masave parandaluese për moslejimin e udhëtimit drejt vendeve të BE-së të atyre shtetasve që nuk plotësojnë kushtet për të lëvizur në hapësirën Schengen, arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, shtetasit:
- M., 41 vjeç, banues në Tiranë;
- M., 56 vjeç, banues në Divjakë.
Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrollit të dokumentacionit dhe intervisitimit për qëllimin e udhëtimit në vendet e BE-së, këta shtetas nuk justifikonin qëllimin e lëvizjes dhe nuk plotësonin kushtet për të udhëtuar në hapsirën Schengen.
Shtetasi A.M. i ka ofruar punonjësit të Policisë Kufitare 50 euro, ndërsa disa orë më vonë shtetasi Q. M., i cili donte të udhëtonte bashkë me bashkëshorten, i ka ofruar punonjësit të Policisë Kufitare 100 euro, me qëllim lejimin e kalimit.
Policia Kufitare apelon për të gjithë shtetasit që duan të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së, që në rast se nuk plotësojnë kushtet për të lëvizur në hapësirën Schengen të mos ndërrmarin asnjë veprim të kundërligjshëm, pasi do përballen me ligjin.