Kritikët nuk janë absolutisht dakord që Jozefina Topalli të krijojë parti. Ata, tepër të indinjuar nuk e japin miratimin e tyre dhe për këtë protestojnë me seriozitet por edhe me shumë ironi në rrjetet sociale.
Julian Deda për shembull, bashkëqytetari i Topallit, e shpreh indinjatën e tij në mënyrë metaforike duke thënë se nuk ka gjumë e se ajo që do bëjë është hapja e një partie të re politike.
Vehap Kola nga ana tjetër është natyrë më sulmonjëse se humoristi Deda.
“Ata të pangopurit me gojë të madhe bëjnë parti. Nuk dinë të bëjnë ndonjë gjë më të mirë se partia. Biznes më fitimprurës për ta nuk ka.”, gjykon kritiku Kola.
Me nota serioze e ka trajtuar “aktin e paprecedentë” të Jozefina Topallit edhe Indrit Vokshi sepse sipas tij kur diçka niset për motive e shkaqe banale, rezultati është banaliteti.
“Kështu puna e partirave para zgjedhjeve. Këta individë nuk janë shkëputur nga PD për konflikt ideor a ideologjik, as për pikëpamje politike, as për bindje. Janë shkëputur se nuk ishin në listat e 2017. Do dështojnë turpshëm sepse iniciativa e re politike nuk mund të niset si hakmarrje ndaj ish-partisë, as si operacion për t’ia ndarë votat që ish-partia të mos fitojë mazhorancë.”, shkruan në rrjetin social Vokshi.
Është e kuptueshme për Dedën, Kolën dhe Vokshin ky lloj pozicionimi “Aspak Dakord” duke qenë se janë kandidatë në listat e Partisë Demokratike, por s’mund të themi të njëjtën gjë për kritikë të tjerë.
Ata janë të pavarur duke qenë se nuk janë varur ende, siç ndodhi me Vehap Kolën, ndërsa dihej pozicioni i qartë i Dedës dhe Vokshit prej kohësh.
Po cilët janë këta të pavarur që s’janë absolutisht po absolutisht dakord? Ata janë Genc Sejko, Elona Caslli dhe Rudi Erebara.
““Ça të bëj për darkë”, më tha gruaja. “Na bëj një parti politike”, i thashë.”, bën status Sejko, ndërsa Erebara shkruan: “Më bëj një parti të djathtë edhe pak bukë të thekur, po shpejt se do çohemi”.
Caslli solidarizohet fort me Erebarën dhe Sejkon si dhe duke e vazhduar kritikën edhe këtë mëngjes me dy pyetje:
“1.Topalli e ndihmon apoe dëmton Opozitën?! 2. E ndihmon apo e parandalon mandatin e trete të Rilindjes?! I bëj këto dy pyetje sepse nga ligjërimi i Topallit vihet re prirja për të mos bashkëpunuar në asnjë çast me PD apo LSI. Krejt në rregull. Me cilën forcë politike do bashkohen votat e saj për rrëzimin e Ramës?! Alternativat e vetme mbeten Murrizi, Hajdari dhe Nisma Thurje, Patozi, Altin Goxhaj.”, shkruan zonja Caslli.
Në kohën kur Jozefina Topalli ishte nënkryetare e Partisë Demokratike e kryetare parlamenti Sejko, Caslli dhe Erebara nuk kishin profile në “Facebook”. Por edhe po të kenë patur nuk është se janë shpërfaqur në mendime kaq dukshëm për politikën.
Zonja Topalli ka lajmëruar ditë më parë bashkimin në një lëvizje të re, “Lëvizja për ndryshim”, një projekt i ri politik të cilën do ta bëjë publik të mërkurën e 28 tetorit.
“Unë nuk do rri të bëj sehir. Nuk kanë qëndruar as në vitin 97 kur kam rrezikuar, jo një herë por disa herë të lija dhe fëmijët e mi jetim. Nuk do bëj sehir as sot. Dhe as nuk impresionohem nga asnjë sjellje enveriste! Dëgjoj sulmet e një pale e pastaj të palës tjetër që për karriget e tyre merren vesh aq bukur dhe më kujtojnë vetëm fletërrufetë e kohës së vjetër. Unë të vërtetat e mia me parti pa parti do t’i them. E vërteta është Liria ime. Të mërkurën do i bashkohem një grupi që quhet “Lëvizja për Ndryshim”.”, tha në një intervistë për ABC News zonja Topalli.
Me të është solidarizuar Astrit Patozi, një nga ish-eksponentët e Partisë Demokratike para drejtimit të saj nga Lulzim Basha.
Megjithë solidarizimin e Patozit dhe dhjetra ndjekësve të zonjës Topalli në profilin e saj, kritikët e “Facebook”-ut mbeten absolutisht kundër./Hashtag.al
MESAZHET E KRITIKËVE TË TOPALLIT