Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta pak para intervistës në media nënkryetari i Parlamentit gjerman


Ndahet nga jeta në mënyrë të papritur deputeti Social Demokrat (SPD) dhe nënkryetari i Parlamentit gjerman Thomas Oppermann.

Ai ishte 66 vjeç.

Deutsche Welle shkruan se Oppermann u nda nga jeta të dielën në mbrëmje para se të jepte një intervistë televizive për ZDF. Transmetuesi publik konfirmoi vdekjen e tij të hënën.

Oppermann e filloi karrierën e tij politike në vitin 1980. Ai u bë ligjvënës në nivelin shtetëror në Saksoninë e Ulët në 1990n, dhe vazhdoi të shërbejë si ministër i shkencës. Ai kaloi në skenën kombëtare në vitin 2005, ku përfaqësoi zonën elektorale të Göttingen. Ai mbante postin e nënkryetarit të Bundestagut që nga viti 2017.

Kolegët e tij nga i gjithë spektri politik kanë shprehur tronditjen për lajmin e ndarjes nga jeta të Oppermann.

Bashkë-drejtuesi i SPD, Norbert Walter-Borjans shkroi në një postim në Twitter: “Thomas Oppermann vdiq papritur dhe pakuptuar dje. Ne jemi thellësisht të tronditur dhe të pikëlluar”.

Ministri Hubertus Heil mbajti zi për vdekjen “e papritur” të Oppermann.

“Lajmi për vdekjen e papritur të kolegut dhe shokut tim Thomas Opperman më mbush me trishtim të thellë”- shkroi Heil në Twitter. “Me pasion dhe intelekt, Thomas i ka bërë një shërbim të madh vendit tonë dhe demokracisë sociale. Mendimet e mia janë me familjen e tij.”

Kancelarja Angela Merkel tha se ajo ishte “e tronditur dhe e trishtuar nga vdekja e parakohshme e Thomas Oppermann”.

“Unë e kam vlerësuar atë për shumë vite si një partner i besueshëm dhe i drejtë në koalicionin e madh”– tha ajo në një deklaratë. Merkel thotë se si nënkryetar i Bundestagut gjerman, Oppermann “bëri një shërbim të jashtëzakonshëm parlamentit tonë në kohë të trazuara.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *