Vendosni fjalën kyçe....

Nga sot ndalohet qarkullimi tek ish-sheshi Shqiponja, rrugët që do ndiqni


Nga e ora pesë e mëngjesit të sotëm dhe për katër muajt në vijim, ndalohet qarkullimi te rreth rrotullimi Shqiponja, për shkak të punimeve të mbikalimit hyrës në Tiranë.

Autoritetet kanë informuar se do të ketë një riorientim të qarkullimit të automjeteve, të cilat hyjnë dhe dalin nga Tirana.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, zbuloi ditën e shtunë se punimet në nyjën “Shqiponja” kanë hyrë në fazën e tretë dhe po punohet intensivisht në mënyrë që kjo vepër, të përfundojë në një kohë sa më të shpejt.

Ai prezantoi grafikun sesi do të bëhet menaxhimi i lëvizjes së automjeteve.

“Drejtimi qarkullimit të mjeteve nga segmenti ‘Dritan Hoxha’ për në rrugën ‘29 Nëntori’ nuk do jetë më sipas rrethrrotullimit, në fazën 3 rrethrrotullimi hiqet. Do kemi një devijim të vogël në të djathtë në rrugën dytësore, të gjithë e njohin si Raiffeisen Bank. Është bërë mbushja në aksin kryesor të trupit të rrugës për të mundësuar këtë devijim të lehtë, në drejtim të rrugës ‘29 Nëntori’, që është dalja për në Durrës. Për të gjithë ata që qarkullojnë nga drejtimi i Durrësit në drejtim të Tiranës do jetë i njëjti plan qarkullimi deri në sheshin ‘Shqiponja’, duke marr devijimin në të djathtë për pjesën e Pallatit me Shigjeta. Për ata që duan të aksesojnë rrugën ‘Dritan Hoxha’ do aksesohen në semaforin e rrugës ‘Abedin Rexha’ e cila të nxjerr në pjesën e zonës së Helikopterëve dhe me tre rrugët dytësore aksesohen në rrugën ‘Dritan Hoxha’. Qarkullimi i mjeteve nga rruga ‘Teodor Keko’ për tek rruga ‘Dritan Hoxha’ do bëhet po përmes rrugës ‘Abedin Rexha’. Pjesa e automjeteve që vjen nga Veri i vendit do të aksesohet nga ana e urës së Babrroit për të dyja drejtimet”, tha drejtori i ARRSH-së.

Ndërsa për menaxhimin e fluksit në katër muajt e punimeve intensive, policia rrugore do të instalojë patrulla të shtuara në këto akse për të shmangur bllokimin.

Verdho sqaroi se për automjetet e emergjencave do të ketë një rrugë alternative.

Më poshtë paraqitet dhe harta e rrugëve që do të duhet të ndjekin automjetet për hyrjen dhe daljen nga Tirana.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *