Kreu i PD-së, Basha, ka lëshuar akuza të forta në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe deputetit socialdemokrat, Tom Doshi.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Basha e akuzoi Doshin se është në krye të mafies së ilaçeve.
”Pse nuk e dini ju kush është në krye të mafies së ilaçeve? Tom Doshi është kryemafia e ilaçeve. E gjithë politika shëndetësore vërtitet drejt tij. Strumbullari është Tom Doshi. Nuk është i vetëm. Ka dhe një duzinë të tjerë, por atyre nuk ua di emrat. E sigurtë që me planin tonë për shëndetësinë s’do ketë asnjë hapësirë për mafien e ilaçeve. S’do pinë më shqiptarët ilaçe që nuk janë ilaçe.” – tha Basha.
Ai shtoi më tej se Ministria e Shëndetësisë do jetë shënjestra e parë që do hetohet nga antikorrupsioni.
“Ministria e Shëndetësisë do jetë një ndër shënjestrat e para nga Antikorrupsionit me themel. Qeveria më e babëzitur që i zhvati paratë e shqiptarëve në kohë pandemie dhe dënoi me vdekje deri më sot shqiptarë për shkak të korrupsionit e babëzisë.” – shtoi Basha.