Kuvendi duket se nuk po humb kohë për të votuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor pas kthimit në Kuvend nga Presidenti i Republikës, pavarësisht thirrjes së komisionerit europian Oliver Vahelyi ndaj maxhorancës, për të pritur një opinion nga Komisioni i Venecias.
Kodi Zgjedhor është futur në diskutimet e rendit të ditës së sotme të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, që do mbahet në orën 12:00.
Siç pati deklaruar kryeministri Edi Rama një ditë më parë, komisioni nuk pritet të bëjë asnjë ndryshim në Kodin Zgjedhor por do ta kalojë atë për votim në Kuvend për seancën e ardhshme plenare sikurse është.
“Do ta votojmë sa më shpejt kur të caktohet seanca e votimit pa asnjë ndryshim, pikë dhe presje. Do ta votojmë kodin siç është votuar nga parlamenti me një shumicë që është kuptimplotë dhe askush nuk mund të verë në diskutim vullnetin e parlamentit, aq më pak Ilir Meta”, deklaroi dje Rama.
Komisioneri europian Oliver Vahelyi pas kësaj deklarate i kërkoi kryeministrit Rama që të priste vendimin e Komisionit të Venecias për të miratuar ndryshimet.
“Unë besoj se Komisoni i Vencias do të japë këshilla të shpejta për palët e interesuara mbi zbatimin e Ndryshimeve Kushtetuese të 30 korrikut. Parlamenti duhet të marrë në konsideratë këtë këshillë. Mezi po pres për të parë zgjedhjet të lira dhe të ndershme në prill 2021”, tha Varhelyi.
Por kryeministri nuk vonoi ta refuzonte këtë thirrje duke shkruar: “Mendimi i Venecias është gjithnjë i mirëseardhur, por për një ligj të votuar dhe të refuzuar nga Presidenti, procedura është e qartë: Refuzimi i Presidentit pranohet ose rrëzohet nga parlamenti! Parlamenti do të rishprehet pa humbur asnjë ditë”.