Presidenti Meta ka thënë para pak çastesh se shpreson që këshillat e Komisionerit për Zgjerimin, Varhelyi për pritjen e Komisionit të Venecias para rivotimit të Kodit Zgjedhor në Kuvend, të dëgjohen me mençuri deri të enjten.
Kreu i shtetit shkruan në Facebook se kohës së injorimit të kushteve e standarteve për integrimin do i vijë fundi më 25 prill 2021.
“Falënderoj miqtë e vërtetë të Shqipërisë, që duan çeljen sa më parë të negociatave me Bashkimin Europian dhe nuk duan të na ndajnë nga Maqedonia e Veriut, për durimin e tyre dhe këshillat e sinqerta.
Shpresoj shumë që ato të dëgjohen me mençuri deri të enjten. Por i siguroj miqtë tanë të sinqertë ndërkombëtarë se kohës së injorimit të kushteve dhe standardeve për integrimin do t’i vijë fundi, në çdo rast, në 25 prill 2021.” – shkruan Meta.
Ai shton më tej se pas kësaj date të gjitha kushtet për çeljen e negociatave do plotësohen rrufeshëm dhe se pas 25 prillit 2021 do nisë epoka e re e sundimit të popullit.
“Pas kësaj date të gjitha kushtet do plotësohen rrufeshëm, me qëllim që Shqipërinë europiane ta ndërtojmë këtu dhe së bashku! Në 25 prill 2021, do fillojë EPOKA E RE E SUNDIMIT TË POPULLIT, që do të sjellë edhe SUNDIMIN E LIGJIT në Shqipëri.” – mbyll reagimin Meta.