Komisioni i Sigurisë Kombëtare në parlamentin e Shqipërisë ka thirrur në një seancë dëgjimore gazetarin e portalit Shqiptarja.Com e Report Tv, Adriatik Doçin, pas raportimeve të tij se presidenti Ilir Meta u ka dhënë nënshtetësinë personave të inkriminuar.
Mirëpo seanca dëgjimore është ndërprerë dy herë për shkak të problemeve me audion.
Gazetari raportoni se Meta i ka dhënë nënshtetësinë shqiptare një shtetasi nga Kosova, Arsim Fadil Ramadani, i cili është dënuar me 30 vite burg për vrasjen e një familje me 5 persona, mes tyre 3 fëmijë.
“Nga verifikimet e bëra, 90 përqind të personave që kanë marrë nënshtetësi të veçanta, nuk kanë një kontribut. Ky rast ka të bëjë me dhënien e nënshtetësisë i cili është dënuar me 30 vite burg për vrasjen e një familje me 5 anëtarë Arsim Fadil Ramadani i lindur në Kosovë. Nga verifikimet rezulton gjeneralitetet e këtij personi në certifikatën që unë kam gjetur dhe që ka nënshtetësi shqiptare. Ai u dënua me 30 vite dhe është falur nga Presidenti Hashim Thaçi. Ai bën pjesë në listën e 419 personave që kanë marrë nënshtetësi nga Meta si VIP. Arsim Ramadani është dënuar në të 3 shkallët e gjyqësorit. Ka vuajtur 15 vite burg dhe në 2017 është falur me dekret presidencial” – tha Doçi.
Ai tha se nuk ka depozituar padi në Prokurorinë e Posaçme por i ka paraqitur informacionet që kishte në media vetëm për të treguar fenomenin.
Doçi deklaroi në seancën dëgjimore se pas publikimit të investigimit për skandalin e nënshtetësisë, ka pasur shantazhe dhe sulme personale nga ana e zyrës së shtypit të Presidencës, si edhe ndërhyrje nga persona të tjerë për të mos vijuar më me publikimin e emrave.