Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria sipas Ramës më e mira për Shëndetësinë në rajon, Teliti e kundërshton: Shqiptarët vdesin trotuareve


Këtë mëngjes kryeministri Edi Rama ka publikuar vlerësimin e revistës”The Lancet” e cila merret me vlerësimin e sektorit të shëndetësisë.

Shqipëria është vlerësuar me 70 pikë dhe mban pikët më të larta në krahasim me vendet e tjera në rajon. Rama e përdor këtë vlerësim si kundërpërgjigjie ndaj akuzave të PD-së për sistemin shëndetësor në kolaps.

“MIRËMËNGJES

dhe me këtë vlerësim kuptimplotë për punën tonë transformuese për shëndetësinë nga prestigjozja botërore “Lancet”, e mirënjohur për nivelin e lartë të kompetencës profesionale mbi sektorin e shëndetësisë, e cila e rendit Shqipërinë me pikët më të larta në rajon dhe në një grup me disa nga vendet lindore të Bashkimit Europian, ju uroj një ditë të mbarë”- shkruan Rama krahas videos që përcjell me të dhënat e revistës dhe akuzat e opozitës, të përgatitur nga zyra e tij e shtypit.


Ndërkohë nuk ka vonuar një përgjigje nga Partia Demokratike. Shefi i Kabinetit dhe ekperti i ekonomisë në PD, Dorian Teliti, thotë se asnjë video 3D nuk e fsheh dot të vërtetën që Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të mjekëve për 1000 banorë në Ballkan.

Ai përmend pagat e mjekëve që sipas tij janë po ashtu më të ulëtat, buxhetin për shëndetësinë më të ulët dhe numrin më të vogël të testimeve.

Teliti thotë që shqiptarët vdesin trotuareve të refuzuar dhe të përzënë nga spitalet, duke kujtuar rastin e qytetarit Lutfi Çekirri, i cili u nda nga jeta pak ditë pasi kishte denoncuar para kamerave që mjekët e kishin sorollatur sa në një spital në tjetrin por askush nuk po e pranonte të shtrohej.

“ER inaguroi dje për herë të dytë spitalin Covid3 pa bërë asnjë transparencë për aparaturat dhe numrin e mjekëve dhe infermierëve të specializuar që duhet të jenë në shërbim të të sëmurëve me Covid.

Ndërsa sot pa gdhirë kërkon t’u mbushë mendjen shqiptarëve se shëndetësia e epokës së rilindjes është e sukseshme dhe konkurruese në botë.

Me një raport që tregon shkallën e vaksinimit të popullsisë, ai po orvatet të bindë shqiptarët se shëndetësia shqiptare është ku e ku më mirë se shëndetësia e vendeve si Turqia ku sot shkojnë për të gjetur shërim oligarkët e PPP-ve në shëndetësi.

Ndërkohë faktet janë kokëforta dhe asnjë video 3D nuk e fsheh dot të vërtetën që jemi vendi me numrin më të ulët të mjekëve për 1000 banorë në Ballkan, kemi pagat më të ulëta për mjekët, kemi buxhetin më të ulët për shëndetësinë dhe kryejmë disa herë më pak testime për COVID se çdo vend i rajonit.

Shëndetësia në 3D e ER është çështje e kinemasë, jo e realitetit.

Realiteti thotë që shqiptarët vdesin trotuareve të refuzuar dhe të përzënë nga spitalet.

Realiteti i shëndetësisë së ER thotë që mjekët dhe infermierët ikin nga sytë këmbët nga ky vend, ndërsa diploma e studentit të mjekësisë shërben thjesht si vizë pune në Gjermani.”- shkruan Teliti, i cili e shoqëron këtë reagim me një krahasim të Shqipërisë me vendet e rajonit për numrin e mjekëve dhe pagat e tyre.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *