Pasi kryeministri Edi Rama u bëri thirrje disa herë të lënë grevën, duke thënë se qeveria nuk pranon ultimatume, gratë naftëtare kanë këtë përgjigje: “Këtu na ke deri në vdekje”.
Gratë naftëtare nuk e konsiderojnë ultimatum vendosmërinë e tyre për të mos dalë nga greva, përkundrazi kërkojnë ultimatum deklaratën e kryeministrit i cili thotë se s’mnd të negociojë pa lënë ato më parë grevën.
“Ne nuk dalim nga greva. Ky nuk është ultimatum, ultimatume bën ai që thotë dilni nga greva. Ta ketë të qartë se nuk dalim. Shumë mirë të negociojmë, kemi një sindikatë, të shkojnë e të negociojnë. Mallakastra është e majtë, e di shumë mirë Zoti Rama, do ngrihemi do dalim në zgjedhje. Nuk dalim nga greva dhe pikë, nuk është ultimatum. Këtu na ke deri në vdekje. Na ke prerë në besë, nuk kemi më besim.” – tha një nga gratë naftëtare.
“Kauza e naftëtarëve është më e pastra, hyjnore dhe e pastër si drita e diellit të pranverës. Jemi për bukën e gojës, për kauzë paqësore. S’duam politikë. Duam një zgjidhje, që të çojmë dinjitetin në vend. Jo, nuk dal nga greva! Nuk dalim nga greva. Na ke prerë në besë! S’kemi më besim.”, tha një tjetër.
Kryeministri Edi Rama më herët përsëriti qëndrimin e tij se nuk do të ulet në një tryezë me naftëtarët, pa u mbyllur më parë greva e urisë. Ai përsëriste se qeveria nuk negocion nën presion.
“Miqtë e mi jo, më vjen keq po ne nuk do të ulemi dot në tavolinë pa u mbyll greva! Qeveria nuk negocion nën presionin e askujt dhe nuk pranon ultimatume nga askush. Mbyllni grevën dhe do të vij unë tek ju, menjëherë! Ndryshe s’ka bisedime.” – shkruante Rama.